“Qeveria u tërhoq nga gjyqi me Bild sepse do dilnin përgjime të tjera”

Presidenti Ilir Meta ka mohuar nga Korça që të ketë dhënë nënshtetësi për një person që është dënuar  për vrasje. Kreu i shtetit iu përgjigj gazetarëve dhe kërkoi se nëse kjo gjë është e vërtetë të përmenden emra.

Ai përsëriti deklaratat që pati bërë ndaj Ramës, që nëse publikonte emrat e personave të botës së krimit që e akuzonte se ishte takuar, do të jepte dorëheqjen.

Megjithatë është Meta ai që thotë se di emrat e botës së krimit me të cilët është takuar Rama. “Doni t’ua them unë kë ka takuar”, pyeti Meta, i cili në fakt nuk iu përgjigj me emra gazetarëve të pranishëm.

Kreu i shtetit deklaroi se qeveria u tërhoq nga gjyqi me gazetën gjermane Bild sepse do të dilnin akoma përgjime të tjera.

A është e vërtetë që i keni dhënë nënshtetësinë një personi që ka kryer vrasje dhe ka marrë nënshtetësinë shqiptare?

Pse më habit! Më thuaj emrin. Pse merr shpifjet e rilindjes. Rilindja është se nuk dua ta përmend fjalën Rilindje këtë në Korçë se… Sekti, këta vetëm këtë punë kanë, vetëm propagandë dhe shpifje. A tha para se të mblidhej Asambleja, kryeministri aktual që Ilir takon persona të botës së krimit apo jo, u kërkon angazhim për zgjedhje? Si i thashë unë? O zotëri, unë nuk jam shoku jot. Më thuaj kë kam takuar, thuaja shqiptarëve, thuaja asamblesë tënde që mos e kthe në asamble tradhtare se ju e dini si përgjigjet populli asamblesë tradhtare? Me top, e dini ju se e ka treguar historia. Çfarë i tha Ilir Meta? Kë kam takuar, dhe në qoftë se jam takuar unë jap dorëheqjen dhe zgjidhej… Vër një tjetër aty në Presidencë…. Ua ka thënë ai kë kam takuar unë? Doni t’ua them unë kë ka takuar?

Po? Na e thuaj…

Por jo të gjitha tani. Pse dosja e Shijakut dhe Dibrës nuk ju mjaftojnë ju? Pse u tërhoq nga gjyqi me Bildin, a e dini ju? Do dilnin gjëra të tjera se ka shumë orë atje. /tvklan.al