Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka në një deklaratë ka hedhur poshtë akuzat e opozitës që thoshte se tenderi i organizuar për blerjen e ushqimeve ka qenë i paracaktuar.

Xhaçka tha se këto janë inskenime dhe kanë për qëllim përhapjen e panikut si dhe hedhjen baltë mbi operacionin humanitar.

“Nuk do kisha dashur të fokusohesha asnjë minutë nga puna që bëjmë për të sqaruar shpifësit e rradhës, por më duhet ta them që jam e habitur, madje e trishtuar për nivelin, në të cilin ka degraduar opozita e “Babaleve”. Sot në mes të një lufte dhe përballë një armiku që po na rrezikon të gjithëve, ka njerëz, si këta regjizorët e “Babales” që kanë luksin të merren me inskenime të ulëta me qëllimin e vetëm përhapjen e panikut dhe hedhjen baltë mbi një operacion humanitar, që ndodh 24 në 24, që nga dita e parë e emergjencës, i paprecedentë për ne e për vende më të zhvilluara nga ne, i cili po u vjen në ndihmë mbi 600.000 familjeve e qytetarëve në nevojë nëçdo cep të Shqipërisë. Fakti që këto akuza të pavërteta vijnë ekzaktësisht në këtë kohë e bëjnë edhe më të turpshme këtë sjellje të ulët të këtyre opozitarëve të pashpresë”, tha Xhaçka.

Për ministren e mbrojtjes ky është i vetmi rast unik në botë, ku një parti opozitare nuk tregon solidaritet, por përpiqet të sabotojë.

“Besoj që është një rast unik në botë, që në një periudhë të paprecedentë emergjence botërore, kur një parti opozitare, që deri pak vite më parë ka qenë në krye të punëve të vendit, e që pretendon të jetë alternativë qeverisëse, jo vetëm që nuk tregon solidaritet, jo vetëm që nuk na bashkohet të na ndihmojë, por përpiqet në mënyrë aktive të sabotojë duke përhapur panik, duke hedhur lloj-lloj shpifjesh e akuzash nga të më çmendurat. I keni dëgjuar besoj? Kryeministri ka bërë koalicion me koronën, i keni mbyllur njerëzit brenda sepse jeni autoritarë, s’ka bukë, s’ka pajisje, çuat mjekë e infermierë të paçertifikuar në Itali, e sa e sa të tjera si këto. Nuk e di. Sinqerisht nuk arrij dot ta kuptoj sesi mund të kenë aq shumë helm e ligësi brenda vetes sa ta përjetojnë si humbje personale e ta vuajnë si disfatë politike faktin që deri më sot ia kemi dalë ta mbajmë kurbën e infeksioneve të ulët, faktin qe po u gjendemi 600.000 familjeve e qytetarëve, apo faktin që ata 30 mjekë e infermierë na bënë të ndihemi aq krenarë në sytë e të gjithë botës”.

Xhaçka ftoi opozitën që akuzat t’i referojë në organet e drejtësisë. Ndërkohë dha edhe sqarimet se pse është zhvilluar ai tender.

“Në datë 24 mars u bë efektiv vendimi i Këshillit tëMinistrave nr. 236 dhe u ngrit mekanizmi për asistencën sociale ndaj shtresave në nevojë. Ndërkohë, po në 24 mars, në të njëjtën ditë u miratua me VKM vendosja e shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë. Në kushtet e fatkeqësisë së shpallur dhe me ngritjen e mekanizmit humanitar për ndihmat ushqimore për kategoritë në nevojë, Ministria e Mbrojtjes në mënyrë urgjente në datë 25 mars, pas 24 orësh, hapi sipas ligjit procedurën e blerjes së këtyre mallrave. Pra,brenda 24 orëve të shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë. Në vijim dhe në përputhje me të gjitha rregullat e prokurimit për situata të tilla, në datë 26 mars komisioni hapi ofertat dhe në datë 27 shpalli fituesin”.

Sipas ministres kjo procedurë është bërë edhe nga kreu i opozitës Lulzim Basha kur ka qenë në qeveri në rastet emergjente./tvklan.al