“S’kam rrezikshmëri dhe nuk prish provat”

Ish-Kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, dorëzoi ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit, duke kërkuar të lërë qelinë, për t’u hetuar në një masë sigurie më të butë.

Nëpërmjet avokatit të tij, Petrit Ismailaj, ai argumenton se nuk ka rrezikshmëri shoqërore dhe nuk ka rrezik të prish prova, sa kohë akuzat që rëndojnë ndaj tij, datojnë për çështje shumë të vjetra.

Duke siguruar se do të jetë i gatshëm për drejtësinë, Dako ndryshim të masës kërkoi edhe në Shkallë të Parë ku ofroi edhe garanci pasurore për lirimin e tij, megjithëse nuk u mor parasysh.

Ankim për vendimin e Shkallës së Parë, pritet që të dorëzojnë edhe ish-zyrtarët e tjerë dhe ndërtuesi Fiqiri Farruku.

Bashkë me këtë të fundit, Dako dhe ish-zyrtarët e tjerë të Bashkisë, akuzohen nga SPAK për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve.

Së pari sipas Prokurorisë ata kanë lejuar ndërtimin e një pallati nga Fiqiri Farruku në qendër të Durrësit pa asnjë dokumentacion, i cili konsiderohet i nevojshëm për nisjen e punimeve.

Dhe së dyti ata akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën në përllogaritjen gabim të fondit limit të një tenderi në 2014 dhe dhjetëfishuar vlerën e tij, duke i shkaktuar buxhetit të Bashkisë 16 milionë lekë dem.

Tv Klan