Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës ka folur për herë të parë për akuzat e bëra ndaj saj nga ndërkombëtarët se ka përgjuar një vëzhgues të ONM-së me qëllim për ta shantazhuar gjatë procesit të Vettingut.

E ftuar në studion e emisionit Opinion në Tv Klan, Imeraj është pyetur direkt për këtë çështje dhe ka mohuar që këto pretendime të jenë të vërteta.

Blendi Fevziu: Ju keni pasur një akuzë nga Theo Jackobs, nga drejtuesi i ONM-së, i cili ju ka akuzuar se keni përgjuar Hans Kilstra, një anëtar i ONM i larguar tashmë holandez. E keni përgjuar, e keni fotografuar, madje edhe në momente intime atë. Është e vërtetë?

Elisabeta Imeraj: Në fakt në momentin që jam përballur me një situatë…

Blendi Fevziu: Kjo është akuzë publike, nuk ishte thashethem.

Elisabeta Imeraj: Çdo akuzë qoftë publike qoftë e shkruar, bazohet diku, ka një format logjik dhe juridik. Në momentin që jam përballur në format të shkruar të kësaj gjësë jam ndjerë e çorientuar në raport me gjënë. Unë jam prokuror i Republikës së Shqipërisë, me detyrë drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, jam nënë e dy fëmijëve dhe nuk e kuptoj se nga mund të burojë një gjë e tillë, dhe nuk e kuptoj se çfarë rëndësie ka kjo për një individ të tillë që të realizojë një gjë të tillë.

Blendi Fevziu: Sepse Hans Kilstra ka deklaruar që ai kishte nga dy burime, një i huaj dhe një shqiptar, faktin që ju jeni marrë me përgjimin e tij, me ndjekjen, përgjimin dhe përzierjen në jetën intime të tij.

Elisabeta Imeraj: Prokuroria e Tiranës është kaq e ngarkuar me punë dhe unë si drejtues Prokurorie kam kaq ngarkesë në punë dhe jashtë punës për t’u marrë me dy fëmijët e mi sa për t’u marrë me ndjhekjen e personave të caktuar. Unë nuk kam asnjë lloj dijeni që një gjë e tillë ka ndodhur… burimi i provës kryesore është një invidiv që i kanë dhënë një emër të sajuar dhe është shkruar që ka ndodhur ky fakt. Unë jam krejtësisht e hapur, e lirë që jam gati të hetohem për çdo gjë që mund të pretendohet mbi fakte konkrete.

/tvklan.al