Igli Madani, 22-vjeçari që shkaktoi aksidentin e rëndë me 4 viktima 2 ditë më parë në autostradën Levan-Vlorë është në lënë në burg.  Madani është njohur me masën e sigurisë “arrest në burg” nga avokati i tij, pasi ndodhet ende në spital pas plagëve të marra. Klan News bën me dije se Madani në gjykatë është përfaqësuar nga avokati Remzi Mehmetaj dhe gjyqtarja Viola Canaj vendosi për të masën “arrest në burg”.

Avokati ka kërkuar një masë më të lehtë për klientin e tij duke thënë se është në gjendje të rënduar psikologjike, por kjo nuk është pranuar. Madani, banues në Tiranë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa mjetin ku udhëtonte Eduart Gushi, 44 vjeç së bashku me bashkëshorten Silvanën, 33 vjeçe dhe dy vajzat, Anastasia dhe Eva, 14 dhe 9 vjeç.

Për pasojë mjeti ka dalë nga rruga duke u shkatërruar plotësisht dhe duke shkaktuar vdekjen e 4 anëtarëve të familjes Gushi. Nga aksidenti kanë mbetur dhe dy pasagjerë që udhëtonin me të riun, por ata morën plagë të lehta.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 08:23 të mëngjesit në aksin Fier-Vlorë në vendin e njohur si “kripa”. Familja Gushi ishte me origjinë nga Patosi. Ata sapo ishin kthyer nga Greqia dhe ishin duke shkuar me pushime në bregdet.

Përplasja ka qenë shumë e fortë për makinën “Toyota” ku udhëtonin ata pasi u shkatërrua plotësisht. U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë trupat nga automjeti./tvklan.al