“Motrat kërkojnë vëllain, çfarë t’u them unë fëmijëve?

Në nëntor 2018 “Stop” ishte në Rrëshen, në spitalin rajonal, ku takoi Lindita Borakun, e dhunuar nga bashkëshorti. Ajo tregoi vuajtjet e vazhdueshme nga dhuna e burrit ndër vite.

“Stop” u rikthye për ta takuar Linditën në Lezhë sërish në Maj 2019, për të parë se si ishte jeta e saj. Mes lotësh ajo tregoi se kishte 7 muaj që nuk e shihte djalin e vogël 6-vjeçar, të cilin e ka marrë peng i ati.

“Motrat kërkojnë vëllain, Çfarë t’u them unë fëmijëve?”, tha Lindita në Maj 2019.

Babai i fëmijës, Alban Boraku, prej 16 muajsh nuk gjendet nga policia dhe në këtë mënyrë dhe urdhri i mbrojtjes i Linditës dhe vendimi për të qëndruar me 4 fëmijët, nuk ekzekutohet deri në fund.

“Kanë kaluar më shumë se 16 muaj dhe tashmë Lindita Boraku vazhdon të jetë pa djalin e saj të vogël. Në kundërshtim me vendimin e gjykatës, e cila është shprehur se fëmijët duhet të qëndrojnë me nënën, në fakt Alban Boraku ka zgjedhur ta marrë në formë rrëmbimi djalin e tij të vogël, duke mos lënë asnjë adresë apo gjurmë të tijën dhe të vazhdojë të jetë ende në kërkim nga policia e Lezhës. Vazhdon të jetë një mision i pamundur gjetja e këtij shtetasi nga ana e Policisë së shtetit”, thotë gazetarja e “Stop”.

Saimir Kodra: Pra zëdhënësja e Policisë Lezhë na tha na bëj një kërkesë me shkrim, ia bëmë kërkesën dhe përgjigjja ishte që e kemi në kërkim, monitorim, herë pas here kemi bërë kontrolle të befasishme në shtëpinë e tij, por nuk e kemi gjetur.

Gentian Zenelaj: Mos vallë shkoni me sirena policie dhe ai ju dëgjon?/tvklan.al