Manchester United po kalon një nga sezonet më të dobëta të historisë së klubit. Skuadra ka shfaqur oshilacione të shumta në kampionat dhe ka dalë jashtë çdo objektivi.
Fitimi i Europa League mund të shpëtojë “djajtë” nga katastrofa, me kritikat që kanë shpërthyer ndaj lojtarëve, por edhe trajnerit Ruben Amorim.
Në verë priten ndryshime të shumta, ndërsa nga të vetmit të paprekshëm është mesfushori Bruno Fernandes.
Ylli portugez është i vetmi që ka shkëlqyer këtë sezon, me një formë konstante thuajse gjatë të gjitha ndeshjeve.
Ndonëse United as nuk e mendon një shitje të tij, interesimet për mesfushorin nuk mungojnë. Klubi saudit, Al Hilal është gati të bëjë një ofertë të majme për Bruno Fernandes.
30-vjeçari pëlqehet shumë nga arabët, të cilët pasi dështuan të afrojnë Salah, kanë kthyer vëmendjen nga luzitani.
Al Hilal tregoi interes edhe në të kaluarën për Bruno Fernandes, para se ai të rinovonte kontratën me United deri në verën e vitit 2027.
/tvklan.al