Alarm për kancerin e gjirit

Alarm për kancerin e gjirit

22:11 05/10/2019

Manastirliu: Fokusi ynë është te parandalimi

Kanceri i gjirit çdo vit është në rritje. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, çdo vit diagnostikohen rreth 600 gra me kancer gjiri. Alarmant është fakti se rreth 5% e tyre janë në moshë të re nën 35 vjeç.

Nga Lezha, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka bërë apel që kontrolli i gjirit të kthehet në rutinë, pasi vetëm kështu mund të fitohet beteja me kancerin e gjirit. Manastirliu lajmëroi edhe zgjerimin e orarit për ofrimin e shërbimit të mamografisë në spitalet ku ofrohet ky shërbim.

 “Duke qenë se fokusi ynë primar është te parandalimi, gjatë muajit Tetor në të gjithë njësitë, ku ofrohet shërbimi i mamografisë, gratë mund ta kryejnë mamografinë edhe në oraret e pasdites, deri në orën 18:00”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

Përveç 12 mamografëve në spitale, shërbimi ofrohet falas edhe nga mamografët e lëvizshëm, të cilat janë shpërndarë në zonat më të thella, nga veriu në jug, sipas një kalendari të përcaktuar.

 “Ne kemi hartuar gjatë këtij muaji një kalendar të mamografëve të lëvizshëm dedikuar muajit Tetor të cilët do të jenë në Lezhë, Librazhd, Mirditë, Lushnje, Pukë, Tropojë, Fier, Krujë, Kuçovë, Bulqizë, Përmet”, shpjegoi ministrja e Shëndetësisë.  

Për periudhën Janar – Shtator 2019, 9,496 gra kanë kryer falas mamografinë, nga të cilat 2500 gra e kanë kryer ekzaminimin e gjirit në mamografët e lëvizshëm.

Klan Plus

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT