1,610 persona të tjerë kanë vdekur në Mbretërinë e Bashkuar nga Covid-19 në 24 orët e fundit. Sipas autoriteteve shëndetësore kjo është shifra më e madhe e viktimave që nga fillimi i pandemisë.

Duke llogaritur dhe vdekjet në 24 orët e fundit, tashmë Britania e Madhe numëron më shumë se 90 mijë jetë të humbura që nga fillimi i pandemisë. Po ashtu alarmante është situata dhe me infektimet, pasi autoritetet shëndetësore kanë njoftuar se janë konfirmuar dhe 33,355 raste të reja.

Yvonne Doyle, drejtor mjekësor në Shëndetin Publik në Angli, në një deklaratë për mediat është shprehur se masat kufizuese po funksionojnë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve t’i respektojnë ato.

Shifrat tregojnë se rreth 1 në 10 persona në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, rezultojnë të kenë anti-trupa që shihet si një shpresë për përballimin e situatës së Covid.

Nga ana tjetër dhe pse përhapja e virusit po vijon me ritme të shpejta procesi i vaksinimit po ecën mirë gjithashtu. Që nga nisja e vaksinimit deri sot kanë marrë dozën e parë 4,266,577 qytetarë./tvklan.al