“Ditë për ditë”

është programi më i ri që do të nisë së shpejti në Televizionin Klan me prezantuese Alba Çobaj, dhe kryeredaktore Elda Laze. Ky emision i ideuar nga Drejtori i Programeve në Tv Klan Armand Shkullaku do të jetë çdo ditë me rubrika të larmishme që do të prezantohen nga Alba dhe gazetarë  të tjerë. Në emision nuk do të mungojnë të ftuarit e zakonshëm dhe të jashtëzakonshëm (siç pëlqen Alba ti cilësojë). Në një intervistë për

tvklan.al

Alba Çobaj, ka rrëfyer për të gjitha, si lindi ideja e këtij programi, çfarë do të ndodhë me biznesin e saj, dhe a do e lërë ajo pas dore pasionin për përkthimin.

Si erdhi ftesa për të qenë pjesë e Tv Klan?

Ftesa për të qenë pjesë e Tv Klan erdhi në mënyrë natyrale, siç ndodhin shumë gjëra në jetë, pa sforco.

Pas shumë programeve të reja që nisin këtë sezon në Tv Klan, programi “Ditë për ditë” do të jetë një tjetër risi. Si është menduar të vijë ky emision për publikun?

Ky emision është një format i ri në të gjitha kuptimet dhe ideja ishte fillimisht e Drejtorit Armand Shkullaku se bashku me kryeredaktoren Elda Laze. Ishin ata iniciatorët që me pas formuan këtë ekip të bukur që ju shihni sot në spot. Do jemi në ekran çdo ditë për të folur për tema nga më të thjeshtat  deri tek ato më tabu. Do kemi mjaft rubrika që janë risi dhe i gjithë programi është i konceptuar në mënyrë të tillë që të transmetojë shumë energji pozitive.

Në promo ju shfaqeni së bashku me gazetarë të tjerë. Na tregoni diçka më shumë.

Unë do të jem së bashku me gazetarët Albi, Liesa, Joel dhe Ardit që do të sjellim për publikun reportazhe, kronika të përgatitura e prezantuara nga vetë ata. Do të kemi në studio dhe personazhe të zakonshëm, por dhe të jashtëzakonshëm. Nuk dua të zbuloj gjithçka tani, por ajo që mund t’iu them me bindje është se do shihni një format ndryshe nga çfarë jeni mësuar më parë.

Keni thënë që do të riktheshit në Tv vetëm nëse do të paguheshit shumë mirë dhe të vlerësoheshit. Ardhja juaj në Tv Klan i ka përmbushur këto të dyja? 

Përderisa jam kthyer sërish do të thotë se gjeta atë që kërkoja dhe jam mjaft e kënaqur. Ajo që secili dëshiron është të punojë në një media serioze që respekton dhe vlerëson punën e figurën tënde, jo thjesht të punojë në një media. Nuk është ky suksesi ose me saktë varet nga pritshmërie që secili ka për veten! E imja ishte kjo!

Si do e gjeni kohën për tu marrë me biznesin tuaj, pasi televizioni të ha kohë?

Është e vërtetë dhe unë prej dy muajsh e stopova veprimtarinë për ta rihapur shumë shpejt, pasi të jem stabilizuar me emisionin. Gjithçka kërkon kohën e vet, por sigurisht që nuk mund të jem vetë fizikisht tek të dyja prandaj ekziston dhe mundësia të punësoj dikë që të më ndihmojë.

Është e vërtetë që keni pasur mllef me mediat?

Nuk mund ta quaj mllef sepse mllefi është diçka e madhe dhe ajo që unë kisha me median ishte thjesht mospërputhje mes asaj që doja unë dhe asaj që ofrohej. Secili duhet të ndihet komod me atë që bën. Ofron punën dhe aftësitë e tij dhe pretendon të marrë më të njëjtin respekt, seriozitet dhe drejtësi pagesën apo dhe kushtet që i takojnë. Kjo është e gjitha.

Po me përkthimin çfarë do të ndodhë?

Përkthimi është profesioni im të cilin do ta ushtroj sapo të marr vulën e përkthyesit. Është rruga që unë kam dashur e investuar prej vitesh prandaj si çdo rrugë po ndërtohet hap pas hapi, pasi profesioni siç dihet është diçka që të shoqëron gjatë gjithë jetës, sidomos kur e ke zgjedhur me dëshirën më të madhe!/tvklan.al