Alba dhe Eda, tregojnë në emisionin “Rudina” në Tv Klan se si e morën vendimin për t’u bërë nëna të një fëmije. Ato treguan se kjo kishte qenë një dëshirë që në fillimet e lidhjes së tyre, por kishin hasur vështirësi pasi ligji nuk i  lejon çiftet me gjini të njëjtë të kenë fëmijë. Alba tregon përvojën e hidhur që patën kur kërkesa e partneres së saj Eda, e cila u paraqit si nënë e vetme, u refuzua nga një mjek shqiptar.

Alba Ahmetaj: Në fakt ne këtë gjë e kemi dashur gati që në fillimet tona, por na dukej shumë e vështirë, gati e pamundur. Rezultoi e vështirë, por jo e pamundur. Në momentin që vendosëm se do e bënim i hymë studimeve. Patëm një incident të vogël në një nga këto klinikat private ku shkuam thjesht të informoheshim, Eda u prezantua se donte të ishte nënë e vetme dhe ndoshta doktori e kuptoi që ishim çift, pasi na tha se nuk mund ta bënim sepse ligji nuk e lejonte. Ai ishte një zhgënjim shumë i fortë. Madje nxori justifikimin se nëse ndodh diçka, familjet me gjini të njëjtë do të abuzojnë me këtë gjë.

Ato tregojnë se nuk u dorëzuan deri sa e realizuan dëshirën e tyre për të qenë nëna, pavarësisht se fillimisht e mendonin të pamundur një gjë të tillë. Eda tregon se për të bërë të mundur dëshirën e tyre shkuan në një tjetër klinikë, ku nuk u prezantuan si çift dhe ku kryen procedurën “in vitro”. Gjithçka shkoi mirë dhe tashmë ato janë nëna të dy vajzave.

Edlira Mara: Në atë kohë po punoja në një punë tjetër dhe fillova duke studiuar të gjitha spitalet private ku mund të kryeja “in vitro”. Shkuam atje bashkë me Albën, nuk u prezantuam si çift, thjesht morëm informacione mbi “in vitron”. Ka shkuar çdo gjë shumë mirë që nga dita e parë që kemi shkelur në atë spital. Procedura e “in vitros” ishte shumë normale për mua dhe pjesa e shtatzënisë ka shkuar shumë normal. U ndjemë shumë mirë të dyja në të gjithë procedurën e ‘in vitros’, procedurën e shtatzënisë dhe të lindjes së vajzave./tvklan.al