Alban Musa, i ftuari i sotëm në emisionin “Rudina” në Tv Klan, rrëfeu rrugëtimin e tij në televizion. Ndonëse ai ka studiuar në Akademinë e Arteve për aktrim dhe është i angazhuar në Teatër, tregon se pasioni për televizionin i ka filluar në moshë të hershme. Ai e ndan këtë në dy etapa.

Etapa e parë për të është kur jetonte në vendlindjen e tij, Tropojë dhe në moshën 16-vjeçare u angazhua në një televizion të vogël lokal. Ndonëse ai e quan një fazë amatore, për të është hyrja për në botën e televizionit.

Rudina Magjistari: Si u gjende ti në televizion? Cili ka qenë momenti i parë?

Alban Musa: Unë kam dy etapa. Unë jam nga Tropoja dhe e kam nisur atje, 16 vjeç.

Rudina Magjistari: Ti ke jetuar në Tropojë?

Alban Musa: Po, unë deri kur kam mbushur moshën për të ardhur në Akademinë e Arteve, në shkollën e lartë, kam qenë në Tropojë, kam vazhduar studimet atje dhe më pas kam ardhur në Tiranë. Atje ka pasur një televizion të vogël, lokal, si në çdo qytet, shumë modest dhe atje shkoja që 16 vjeç dhe bëja programe. Atë e quaj etapë sepse është etapë totalisht  amatore, por aty mësova qëndrimin, që qëndrimi televiziv kishte rregulla. Pastaj fillimi profesional i imi ka qenë në televizionin “Arbëria”, që tani nuk është më, në vitin 2004. Tani që e mendoj them me vete çfarë guximi kanë patur drejtuesit e atij televizioni. Isha 19 vjeç, isha asistent regjisor, nuk isha aspak prezantues dhe më ofruan të drejtoja një “late night show”, bëhej çdo natë, live. Pasionin që kam pasur atëherë e shfaqja aty, me një dashuri të madhe për televizionin dhe që në atë moment nuk u ndala më.

Rudina Magjistari: E kuptove që e doje atë gjë.

Alban Musa: Ajo është gjëja ime, jam në terrenin tim dhe s’kam pse të ndërroj.

Rudina Magjistari: Megjithatë fakti që ti zgjodhe të bësh televizion që në Tropojë, ishe ti që e zgjodhe apo ta propozuan? Ishe ti që e kërkoje këtë lloj profesioni? Të pëlqente ideja të ishe i njohur? Pse e zgjodhe televizionin?

Alban Musa: Trokisja në derë. Unë kam qenë gjithnjë i prirur ndaj arteve, gjithmonë i kam dashur gjërat e bukura, letërsinë. Unë jam edhe Binjakët, komunikimi është kryefjala, unë doja që të flisja, unë doja që të dëgjohesha, unë doja që mendimi im, ajo çfarë thoja unë, të dëgjohej dhe trokisja gjithmonë në derë. Te televizioni në Tropojë punoja pa lekë fare, nuk paguhesha, por shkoja të punoja, mësoja dhe e quaja si një lloj shkolle, një lloj edukimi profesional. Nuk e konceptoja atëherë kështu, por tani që i bëj rezymenë, kam përshtypjen që kështu ka qenë./tvklan.al