Kupa Magjike për këtë edicion të 22 të festivalit Kënga Magjike shkoi për Alban Ramosaj, me këngën “Thikat e mia”.

Mes lotësh, Alban Ramosaj tha se e kishte menduar këtë moment dhe nuk mund ta besonte që ishte bërë realitet.

“O mam e fitova… faleminderit të gjithëve! E kam mendua këtë moment dhe nuk po më besohet akoma, nuk kam fjalë. Faleminderit nga shpirti, nga zemra, më rikujtuat arsyen përse bëj këtë që bëj. Ju falenderoj nga shpirti edhe njëherë. Ndihem më i vlerësuar se kurrë, jam pa fjalë. ”

Unë tani nuk e di çfarë po them, do çohem nesër do them çfarë thashë, mund të kisha thënë diçka tjetër…Dua të falenderoj bashkëpunëtorët, Fifi, Bruno, Flori, çunat të gjithë… të gjithëve që më votuan, por dikë dua të falënderoj më shumë, është ajo që e thashë pak më herët: Mam ku je, kjo është për ty! Është për gjithçka ke bërë për mua, faleminderit”

Ndryshe nga edicionet e kaluara, “Kënga Magjike” këtë vit kishte vetëm 3 çmime: Best New Artist, Best International Artist dhe çmimin e madh.

Çmimi Best New Artist këtë vit shkoi për grupin Urban Band.

Ndërsa çmimin Best International Artist e rrëmbeu artistja nga Gjeorgjia, Nutsa.

Sistemi i votimit në Kënga Magjike ishte i ndarë në tre pjesë. Artistët votuan për njëri-tjetrin, po ashtu edhe publiku votoi për të preferuarin e tij dhe vota e jurisë e përbërë nga Enkel Demi, Jonida Maliqi, Markelian Kapidani, Arben Skënderi dhe Kozeta Kurti.

Pas 22 vitesh, për shkak të situatës së pandemisë Kënga Magjike, nën prezantimin e Ardit Gjebreas dhe Marsela Çibukajt, erdhi e konceptuar ndryshe, si një koncert show në studion e “E Diela Shqiptare”.

Me pamjet e mrekullueshme që ofron skenografia e mjeshtrit italian Gaetano Castelli, Drejtori i Fotografisë, Ivan Pierri dhe regjia nga Aldon Lipe tre netët e Kënga Magjike përcollën emocion e spektakël në ekranin e Televizionit Klan./tvklan.al