Në një takim me mësues të arsimit parauniversitar, koordinatorja politike e PD, Albana Vokshi ngriti shqetësimin, sipas saj, të degradimit të sistemit arsimor gjatë 8 viteve të qeverisë Rama. Vokshi tha se gjatë pandemisë qeveria braktisi shkolat ppasi nuk investoi në asgjë.

“Më shumë se gjysma e nxënësve nuk kanë internet ose mjetet e duhura për shkollën online. Qeveria ka stimuluar uljen e cilësisë së mësimdhënies, duke mos investuar asnjë qindarkë për arsimin online. Mësimi online ka dështuar, sepse qeveria ka dështuar, duke rrezikuar që të rritet një brez Covid”, tha Albana Vokshi.

Vokshi theksoi se nxënësit po dalin nga bankat e shkollës me shumë boshllëqe. Mësuesit ngritën edhe problemin e orëve shtesë të papaguara, duke e cilësuar sjelljen e qeverisë si keqtrajtim ndaj tyre.

“Pavarësisht braktisjes nga qeveria, dua t’ju falenderoj që nuk hiqni dorë, duke ju garantuar se me PD në qeveri, mësuesi, pedagogu do të jetë në qendër të vëmendjes, që arsimimi cilësor të jetë prioriteti ynë. Nëse një qeveri nuk investon në arsim, është një shoqëri e prapambetur. Prandaj ne do të investojmë në arsim, edhe si investimi më i madh që i kthehet ekonomisë dhe shoqërisë”, tha Albana Vokshi, duke ftuar mësuesit të bashkohen me PD në zgjedhjet e 25 Prillit./tvklan.al