Në rrënojat e Albanopolit të vjetër, qytezës antike ku mendohet të ketë rrjedhur emërtimi i shqiptarëve të sotëm, kanë rinisur gërmimet. Për të hedhur më shumë dritë për historinë e kësaj qyteze, e ndodhur mes Fushë-Krujës dhe Krujës, për të dytin vit radhazi grupi i arkeologëve shqiptaro-gjermanë po kryen gërmime në të gjithë sipërfaqen e kalasë. Deri tani aty janë gjetur disa varre tipike të kulturës bizantine.

“Jemi për herë të tretë këtu në Zgërdhesh dhe jemi instaluar në pjesë e Akropolit dhe tek kisha. Janë tre pjesë të gërmimit; pjesa e kishës, kulla në pjesën e jugut që do shikojmë materialet për datimin dhe ndërtimet në atë zonë, dhe pika e tretë është në Akropolis për të parë nëse atje ka të dhëna për ndërtim”

, shprehet arkeologu Thomas Maurer i Universitetit të Frankfurtit.

Zbulimet e akropolit, kishës dhe buleterionëve tregojnë zhvillimin e kësaj qyteze me një sipërfaqe prej rreth 10 hektarë. Në kodër gjurmët e qytetërimit të hershëm janë të dukshme. Muret rrethues me kuadrate të mëdhenj, sipas historianëve tregojnë se ato janë ndërtuar në shekullin e 4-3 Para Erës Sonë.

“Mendimi zotërues deri tani është ai që qyteti i Zgërdheshit lidhet me qytetin e Albanopolis e përmendur vetëm nga Ptolemeu në shekullin e II pas Krishtit. Hajni tha se nisur nga burimi, pozicioni që zinte qyteti tha se kemi të bëjmë me Albanopolis. Në qoftë se do të nisemi me logjikë, do kërkonim mes Dorëzit, Persqopit dhe Zgërdheshit për të kërkaur Albanopolisin e Ptolemeut. Më e rëndësishme në historinë e Shqipërisë është vazhdimësia e albanëve të Antikitetit tek albanët e sotëm. Territori i Krujës dhe Tiranës ishte territori ku u zhvilluan ngjarjet më të rëndësishme të Mesjetës. Në Mesjetë rolin kryesor e ka luajtur Kruja, dhe Kruja ishte ngjitur me Zgërdheshin”

, tregon historiani Skënder Muçaj.

Mendohet se në periudhën romake qyteza ka zbritur në pjesën fushore. Edhe pse mbart vlera të shumta historike, vetëm disa kilometra nga Kruja, Zgërdheshi është ende një zonë e panjohur për turistët.

Deri tani e vetmja që tregon rëndësinë e kësaj zone arkeologjike, janë tabelat informuese në hyrje të rrugës dhe pranë mureve rrethues të kalasë. Si pjesë e rëndësishme e identitetit tonë kombëtar, Bashkia e Krujës, sëbashku me qeverinë shqiptare e kanë përfshinë atë në projektin e 100 fshatrave, për ta kthyer në një atraksion turistik.

“Bashkia Krujë duke qenë se Zgërdheshi është pjesë e projektit të 100 fshatrave, kemi dërguar disa projekte për rivitalizimin e zonë si një produkt historik i gatshëm që mund të sjellë zhvillim të zonës. Kemi propozuar rivitalizimin e rrugës që lidh kalanë e Krujës me qytetin e vjetër të Zgërdheshit që mendohet se është edhe zhvendosja gjeografike e banorëve. Pra nga një qytet ilir që ishte kodra e banueshme, në një qytet mesjetar që ka malin. Kjo zonë të kthehet zonë turistike sëbashku me një muze arkeologjik meqënëse ka gjetje arkeologjike

“, thotë përgjegjësi i turizmit, Drini Masha.

Kalaja e Albanopolisit, kryeqendra e fisit të albanëve është ndërtuar në shekullin 7-6 Para Erës Sonë. Pikën zhvillimore e ka patur në shekullin e 4-3 Para Erës Sonë dhe në shekullin e dytë ku thuhet se banorët u zhvendosën në Durrës dhe në Krujë.

Tv Klan