Opinion– Albert Brojka, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan.

Në intervistën e realizuar më datë 18.09.2000, tre javë përpara përfundimit të mandatit të tij, Brojka tregoi arsyet se përse zgjodhi të mos kandidonte sërish për kreun e bashkisë. Siç tregon Brojka në tre vite e gjysmë në krye të bashkisë nuk ka pasur mbështetje politike dhe fondet nga qeveria kanë qenë të kufizuara.

“Zyra e kryebashkiakut është një zyrë që nuk më ka takuar mua ndoshta dhe nuk më takon, por është zyrë e popullit, e qytetarëve ku një nënpunës shërben. Unë e lë këtë detyrë me dëshirën time dhe nuk jam aspak pishman. Unë do të doja të qëndroja larg fushatës, pozicioni im më i vështirë është kur atakohem personalisht ose kur atakohet institucioni që përfaqësoj. Të ndodhurit jashtë fushatës për mua do të ishte privilegj. Më lehtëson kjo gjë dhe nuk shqetësohem që jam jashtë vëmendjes politike. Jemi në javët e fundit të punës dhe natyrisht stafi ka lëshuar disi punën duke marrë parasysh që njerëzit janë më të përqendruar në këtë fushatë. Edhe pse stafi përpiqet të rrijë i depolitizuar, nuk i shmanget dot depolitizimit. E ndjen veten të pasigurt sepse ai që do të vijë do të ketë preferencat e veta dhe gjithsecili aty është i shqetësuar për vendin e tij të punës. Ka shumë punonjës që janë të përfshirë në fushatë elektorale dhe merren me të pas orarit të punës ashtu siç e parashikon edhe ligji. Mua më kanë nxitur të rikandidoj, por kam vendosur vetë personalisht që të mos kandidoj më. E kam bërë publik këtë lajm ndoshta 2 vjet më përpara dhe kam shtjelluar edhe arsyet dhe gjej rastin ti përsëris edhe një herë. Një kryetar bashkie sado të përpiqet për të punuar mirë, 4 vjet në qeverisje do të konsumohet. Sepse qyteti është me mjaft probleme dhe një pjesë e tyre nuk gjen zgjedhje. Edhe pse e kuptojnë vështirësinë e zgjedhjes së tyre do të ngelin sërish të pakënaqur dhe një pjesë e elektoratit të humb. Së dyti nuk kam shumë mbështetje politike. Në këtë shoqëri të politizuar nuk shikohen cilësitë e kandidatit, që duhet të jenë parësore, por mbështetja politike. Unë kam qeverisur për 3 vite e gjysmë me qeverinë socialiste dhe e kemi parë njëri-tjetrin si kundërshtarë dhe fondet kanë qenë të kufizuara. Nuk dua ta mbaj peng qytetin e Tiranës dhe të vazhdoj deri në zgjedhjet e përgjithshme të njëjtën lufte”, tha Brojka. / tvklan.al