Zyrtarët amerikanë të rendit i thanë Zërit të Amerikës se ndalimet erdhën pas një operacioni përgjimi dhe provat do t’i paraqiten së shpejti një jurie të madhe.

Hetimet u kryen nga agjencia amerikane kundër drogave DEA. Sipas dëshmisë së zyrtarit të DEA Gary Bailey, përgjimet e të akuzuarve janë bërë përmes tre informatorëve, të identifikuar si CS-1, CS-2 dhe CS-3, të tre individë me të kaluar kriminale, por që kanë pranuar të bashkëpunojnë me autoritetet.

Sipas dokumenteve hetimore që ka parë Zëri i Amerikës, përgjimet kanë filluar në muajin tetor të vitit 2016 dhe kanë vazhduar të paktën deri në fund të muajit maj 2017.

Zyrtarët amerikanë i thanë Zërit të Amerikës se autoritetet arritën të bllokojnë një trafikim armësh të lidhur me Kosovën dhe se provat do t’i paraqiten së shpejti një jurie të madhe.

Ata thanë se këto prova tregojnë përfshirjen e ish-shoferit të Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, Albert Veliu, në një skemë që rezultoi në përpjekje për shitje armësh.

Autoritetet amerikane thanë se 34-vjeçari Albert Veliu, ish-shoferi i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, ndodhet i ndaluar nga autoritetet, të cilat thanë se atij i është mohuar lirimi me kusht.

Sipas prokurorëve, ai është njëri ndër disa persona të akuzuar në lidhje me një skemë për pastrim parash. Emrat e të tjerëve janë: Dilber Kukic, Ekram Sejdija, Xhevat Gocaj, Agim Rugova dhe Alban Veliu.

Siç rezulton nga përgjimet, Veliu ishte përfshirë në një skemë për nxjerrje parash me kërcënim, pastrim parash dhe trafikim droge, e cila në fund rezultoi në shitje armësh.

Sipas prokurorëve federalë, Albert Veliu ndërmjetësoi shitjen e një rakete antitank dhe të pesëmbëdhjetë pushkëve AK-47 në Kosovë, që përfunduan në duart e agjentëve federalë amerikanë.

Hetimet filluan kur një informator u tha agjentëve se një person me emrin Christopher Curanovic, po i bënte presion Veliut që t’i kthente një borxh prej 40 mijë dollarësh. Operacioni filloi në tetor të vitit të kaluar dhe ka përfshirë një sërë bisedash të regjistruara.

Zyrtarët thonë se Veliu, Curanovic dhe një tjetër bashkëpunëtor i Koza Nostrës me emrin Noterile, krijuan një skemë për pastrim parash që do të mundësonte pagimin e borxhit.

Zyra e Prokurorisë së Distriktit Lindor të Nju Jorkut vuri në dispozicion të Zërit të Amerikës një transkript me biseda të regjistruara nga agjentët, ku të akuzuarit flasin për fatura të sajuara që do t’i ndihmonin për të pastruar para.

Në një prej regjistrimeve p.sh., në 3 shkurt të këtij viti, mes informatorit CS-2 dhe Albert Veliut në një restorant në Nju Jork, Veliu pohon se vjehri i tij është një prej drejtuesve të një grupi të krimit të organizuar shqiptar në Çeki dhe se ai mund të transportonte sasi të mëdha parash përmes Çekisë ose vendeve të tjera të Evropës Lindore që të hynin më pas si para të pastra në Amerikë.

Po ashtu Veliu i premton informatorit se mund ta vinte në kontakt me një burim furnizimi marihuane. Veliu po ashtu i thotë informatorit se është kushëri me Alex Rudajn, një figurë e njohur e krimit të organizuar shqiptar në Nju Jork, aktulaisht i dënuar me 27 vjet.

Dhe sipas zyrtarëve, nga tetori i vitit të kaluar, grupi arriti të pastrojë rreth 800 mijë dollarë që kishin rezultuar nga shitja e drogës.

Veç kësaj, Albert Veliu informoi një burim konfidencial të Agjencisë së Antidrogës (DEA) se ai kishte qasje tek armët e zjarrit në Kosovë. Sipas zyrtarëve, Veliu shfrytëzoi lidhjet e tij për të ndërmjetësuar shitjen e më shumë se dhjetë kallashnikovëve AK-47 dhe një arme antitank M-80 “Zolja” e pajisur me një raketë 64 milimetërshe.

Autoritetet amerikane patën bashkëpunimin e Forcës Policore të Kosovës për zbulimin e këtij operacioni.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha tha për Zërin e Amerikës se gjatë aksionit në Kosovë u arrestuan katër persona të lidhur me grupin.

Ndërsa Ministria e Jashtme e Kosovës, bëri të ditur se Albert Veliut, është ndërprerë marrëdhënia e punës me konsullatën në Kosovë.

Në deponimin e autoriteteve në Gjykatë për të kërkuar arrestimin e të pandehurve, prokurorët theksojnë se nuk i kanë bërë të ditura të gjitha faktet nga hetimi, por vetëm aq sa mund të duhen për të justifikuar arrestimin e tyre./Zëri i Amerikës