Albi Nako: Si fjeta me gjarprin në gji…

Albi Nako: Si fjeta me gjarprin në gji…

23:48 16/07/2019

“Dashuria për kafshët” ishte tema e mbrëmjes së kësaj të marte në emisionin “Opinion”, në Tv Klan. Të gjithë të ftuarit treguan historitë e tyre me kafshët, ku spikati ajo e koreografit Albi Nako.

“Unë jam rritur edhe në fshat. Kur kam qenë i vogël, më ka kaluar një nëpërkë tek kofshët dhe e kam parë, jam mpirë, nuk kam lëvizur. Bëri rrugën e vet nga kofsha tek pulpa dhe iku. Me kalimin e viteve, u futa të studioj këtë zvarranik të çuditshëm, që edhe feja e ka dënuar duke i vënë lloj-lloj epitetesh.”

Para 10 vitesh Albi shpjegoi se si e kishte blerë dhe e kishte futur kontrabandë në Shqipëri pitonin, pasi nuk lejohet në Shqipëri. Ai tha se e kishte marrë të vogël dhe e kishte vendosur në akuarium, ndërsa maksimumi kishte arritur deri në 2 metër para se të ndërronte jetë vitin e kaluar.  Kur e kishte marrë gjarprin në shtëpi, “Mamaja u tmerrua dhe tha djali iku. Nuk është mirë.”

Ndërsa Nako shpjegoi edhe një rast kur pitonin e kishte nxjerrë nga akuariumi dhe e kishte mbajtur në krevat.

“E kam mbajtur edhe në krevat unë. Nuk është se e kisha bashkëshorte jo. Por vija unë në darkë në shtëpi, doja t’i kushtoja kohë dhe e merrja dhe një herë kam qenë përmbys duke parë televizor dhe më ka zënë gjumi fiks siç është ajo shprehja me gjarprin në gji. Kështu kulaç komplet. Ishte nën mua. Nuk reagonte fare.”/tvklan.al

Të ngjashme
UKT