Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar në Facebook pas takimit me Presidentin serb, Aleksandër Vuçiç. Mësohet se kreu i shtetit të Kosovës i ka paraqitur 4 propozime në tavolinë Vuçiçit. Mes tyre edhe ajo për nënshkrimin e deklaratës së paqes mes dy vendeve me zotimin se nuk do ta sulmojnë njëra tjetrën.

“Kosova dhe Serbia menjëherë nënshkruajnë një marrëveshje të përbashkët të paqes duke u zotuar se nuk do ta sulmojnë njëra-tjetrën. Kjo është e rëndësishme tani si asnjëherë më parë, një ditë pas Samitit të NATO-s në Bruksel dhe porosive unanime që u dhanë aty”, shkruan Kurti.

Siç bën me dije Kurti, përgjigja nga ana e palës serbe ishte refuzuese. Të njëjtin fat kanë pasur edhe dy propozime të tjera siç janë ajo për reciprocitetin bilateral pas njohjes së ndërsjellë ku serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi si dhe çështja e të pagjeturve.

“Pas njohjes së ndërsjelltë midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, në të dy vendet tona do të kemi reciprocitet bilateral, përfshirë çështjen e pakicave këtu. Pra, serbët në Kosovë mund të kenë Këshillin e tyre Nacional siç e kanë shqiptarët dhe boshnjakët në Serbi. Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviç, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviç”, ishin dy propozimet e tjera.

Propozimi i vetëm që nuk ka marrë ende një përgjigje, sipas Kurtit, ka qenë i pari në listë dhe që ka të bëjë me ekonominë.

“Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor e avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-n”, thuhej në propozimin e Kurtit.

Megjithatë kryeministri i Kosovës tha në Facebook se shpreson që Vuçiç ta konsiderojë seriozisht pranimin e këtyre propozimeve kur të kthehet në Beograd.

Një nga temat që është folur është edhe asosacioni për pakicat serbe, për të cilat Kurti është shprehur kundër.

“Asosacioni nuk është për serbët, por kundër Kosovës, ashtu siç është dizajnuar. Pra ne dëshirojmë që qytetarët e Republikës së Kosovës, siç janë qytetarët serbë t’i kenë të gjitha të drejtat siç i kanë të tjerët. Pra ne nuk duam që shumica të jetë e privilegjuar karshi pakicës. Por nuk mund të lejojmë përsëritjen e skenarit të Bosnje-Hercegovinës. E dimë shumë mirë që atje në 26 Prill 1991, 4 komuna me shumicë serbe u patën bërë bashkë dhe me 9 Janar 1992 shpallën pavarësinë dhe më vonë miratuan Kushtetutën e tyre dhe më vonë fituan të drejtën ndërkombëtare të asaj që quhet Republika Srpska. Pra ne jemi për të drejtat e qytetarëve, për t’ua lehtësuar nevojat, por jo për t’i territorializuar ambicien Serbisë e cila vajton për humbjen që ia ka shkaktuar humbja e Millosheviçit. Serbia e ka pasur të okupuar Kosovën dhe ka humbur nga regjimi i Millosheviçit. Nuk duhet të vajtojnë për humbjet e Serbisë si shtet por duhet të bashkëpunojnë me ne për marrëdhënie të mira”, tha Kurti në një prononcim për mediat.

Kurti shoqërohej në këtë takim me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi. Në takim ndër të tjera mësohet se Kurti ka treguar  qëndrimi kritik për procesin dhe marrëveshjet e deritanishme. Po ashtu ka shprehur gatishmërinë për dialog konstruktiv për njohje të ndërsjellë. Mes palëve është rëndë dakord që takimi i radhës do të mbahet para pushimit të verës që nis me 25 Korrik./tvklan.al