LVV ka prej 2 vitesh qendrën e saj edhe në Tiranë. Madje në zgjedhjet e 25 Prillit do të ketë në garë 3 kandidatë të saj të pavarur në 3 qarqe të ndryshme. Për të mbështetur fushatën e LVV-së në Tiranë ishte këtë të mërkurë në kryeqytet edhe Albin Kurti, drejtuesi i LVV-së në Kosovë. Ai tha se qendra në Tiranës ka autonominë e saj dhe se partia mëmë në Kosovë do të mbështesë kandidatët. Po ashtu, Kurti u shpreh se do të vijë të votojë në Shqipëri më 25 Prill.

“Qendra e ka autonominë e plotë sa i takon veprimeve, qëndrimeve dhe vendimeve. Është e vërtetë që kanë diskutuar edhe me sekretaren tonë organizative në Kosovë, por vendimi merret veçse në Tiranë.  Ne mbështesim kandidatët e pavarur sepse ka nevojë për një fushë të qytetarit të pavarur, ti jepet mundësia për të zgjedhur përfaqësuesit e vet. Ne nuk jemi të preokupuar me aleancë në këtë fazë. Qarku i Tiranës duhet të votojë Boiken Abazin. Qarku i Lezhës duhet të votojë për Iljaz shehun. Qarku i Gjirokastrës duhet të votojë për Kreshnik Merxhanin e unë do të vij të votoj më 25 Prill”, tha Kurti.

“Kryeministri që do të kem marrëdhëniet më të mira me Tiranën zyrtare”

Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë tha se do të jetë kryeministri që do të ketë marrëdhëniet më të mira me Tiranën zyrtare në Kosovën e pasluftës. Në vizitën që po zhvillon në Shqipëri tha se do të takohet edhe me drejtues shtetërore, por fokus ka kandidatët e LVV-së.

“Do kem kryeministri që do të kem marrëdhëniet më të mira me Tiranën zyrtare që ka pasur ndonjë kryeministër i Kosovës pas luftës. Do të zhvilloj kontakte dhe takime. Do të takoj drejtues shtetëror. Kam një vizitë 3 ditore për 3 qytete për 3 kandidatë”.

“Kemi nevojë për bashkim dhe përparim”

Po ashtu Kurti shtoi se Shqipëria dhe Kosova kanë nevojë për bashkim pasi janë ndarë në mënyrë jodemokratike.

“Ishim tek vendi ku është varrosur heroi ynë kombëtar dhe ndodhet origjina e bashkimit kombëtar si koncept dhe unë theksova që kemi nevojë për çlirim. Kemi nevojë për bashkim se jemi ndarë në mënyrë jodemokratike e nga të tjerët. Kemi nevojë për përparim sepse kemi ngelur prapa. Jemi si Kosovë dhe Shqipëri vendet më të prapambetura në Europë”, tha Kurti.

Albin Kurti nga Tirana: Shqipëria ka nevojë për ndryshime

Lëvizja Vetëvendosje ka një qendër edhe në Tiranë dhe do të ketë 3 kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 25 Prillit. Këtë të mërkurë, qendrën e LVV-së në kryeqytet e ka vizituar fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti, i cili është njëkohësisht edhe kryetari i LVV-së në Kosovë.

Kurti shoqërohej nga koordinatori i LVV-së në Tiranë, Boiken Abazi, i cili do të kandidojë në Qarkun e Tiranës. 

“Synojmë të jemi e vërteta në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Abazi, i cili kërkoi anëtarësime në partinë e re.

Ndërkohë po ashtu, gjatë fjalës së tij Kurti tha se Abazi është një aktivit i pathyeshëm. Ai u shpreh se edhe Shqipëria ka nevojë për ndryshime.

“Boikeni është një aktivist i pakthyeshëm, qytetar i pakorruptuar dhe një njeri i pakorruptueshëm. E njoh mirë, e njoh shumë mirë, e njoh edhe më mirë se familja e tij. Sfidat që kam kaluar me Boikenin nëpër Kosovë, situata të vështira dhe të rënda e kanë kalitur që ta përfaqësojë qytetarin këtu në Kuvendin e Republikës si pakkush më parë në Shqipërinë që ende nuk po e përmbyll tranzicionin. Ajo që kemi nevojë në Shqipëri dhe Kosovë është gjithëpërfshirja sociale dhe pjesëmarrje qytetare. Mirëqenia duhet të jetë për të gjithë. Ndryshimet në Kosovë janë bërë, edhe Shqipëria ka nevojë ndryshime sepse shqiptarëve u takon më shumë dhe shqiptarët meritojnë më mirë”, tha Kurti. /tvklan.al