Vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli Gjyqësor

LVV ka paralajmëruar se Albin Kurti do t’i prijë listës së deputetëve të LVV-së, të cilën do ta dorëzojë kjo parti për certifikim në KQZ, sikurse edhe subjektet e tjera politike. Zëdhënësi i LVV-së Përparim Kryeziu, në një status në Facebook ka shkruar se Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se individi i dënuar me burgim nuk mund të kandidojë për deputet, gjë e cila sipas tij, nuk vlen për Kurtin.

“Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu nuk kanë qenë objekt i shqyrtimit, për më tepër ata nuk janë dënuar me burgim. Prandaj në këtë aktgjykim nuk kanë ndalesë për të qenë pjesë e listës dhe garës zgjedhore”.

Por pas aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, KQZ do të ndjekë disa rrugë deri në certifikimin përfundimtar të të gjithë kandidatëve.

“Në mesin e institucioneve me të cilat KQZ-ja do të bashkëpunojë gjatë kësaj faze të procesit zgjedhor është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Pra, në këtë institucion do të përcjellim listat e të gjithë kandidatëve për të kërkuar verifikim nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në këtë rast me germën Q të këtij ligji, ku përmendet se nuk mund të certifikohet kandidat një person i shpallur fajtor për veprën penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”.

Afati i fundit për aplikim për të aplikuar për certifikim është data 16 Janar, ndërsa përgjigjet për verifikim do të priten nga institucionet e drejtësisë deri më 20 Janar.

“Pasi të kemi pranuar përgjigjet për verifikim nga këto institucione, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për aprovimin ose refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve. Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Planin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”.

Gjithë periudha e ankesave dhe veprimeve të KQZ-së është paraparë të përmbyllet më 31 Janar, në mënyrë që më 2 Shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike.

Tv Klan