Rriten numrat e të infektuarve në Kosovë

Ka filluar sërish të rritet numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë. Vetëm dy ditët e fundjavës ishin 22 raste të reja, 8 të shtunën dhe 14 të dielën në mbrëmje. Një klinikë private gjinekologjike ishte vartër e re e infeksionit, nga ku është infektuar edhe një shtatzënë 30-vjeçare. Ndërsa në vetëizolim është futur edhe Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministri në detyrë i Integrimeve Blerim Reka bashkë me stafet e kabineteve të tyre. Një person në Ministrinë e Integrimeve Evropiane dyshohet se është infektuar me koronavirus dhe është në pritje të rezultateve. Në klinikën Infektive është rritur në 21 numri i pacientëve që po trajtohen.

 “Nga këta pacientë, 13 janë pozitivë në COVID-19 dhe 5 janë në oksigjenoterapi ndërsa tre prej tyre ende në pritje të rezultateve”, shprehet infektologia Vera Berisha Ndrejaj.

Nënkryetari i Prishtinës Muhedin Nushi ka paralajmëruar se nëse vazhdon të rritet numri i të infektuarve, do të rikthehen masat strikte duke mos përjashtuar karantimin e Prishtinës.

“Duhet të respektohen këto rekomandime që të mos kthehemi në pikën 0, se prapë do të kemi karantinë, izolime dhe mbikqyrje të policisë. Prandaj nuk kemi nevojë se deri më tash është respektuar mire”.

Ndërkohë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik vlerëson se akoma ekziston rreziku i përhapjes së virusit ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që pas lehtësimit të masave të jenë më të përgjegjshëm për shëndetin e tyre dhe familjarëve të tyre.

Tv Klan