Lëvizja Vetëvendosje ka një qendër edhe në Tiranë dhe do të ketë 3 kandidatë të pavarur në zgjedhjet e 25 Prillit. Këtë të mërkurë, qendrën e LVV-së në kryeqytet e ka vizituar fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Albin Kurti, i cili është njëkohësisht edhe kryetari i LVV-së në Kosovë.

Kurti shoqërohej nga koordinatori i LVV-së në Tiranë, Boiken Abazi, i cili do të kandidojë në Qarkun e Tiranës. 

“Synojmë të jemi e vërteta në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Abazi, i cili kërkoi anëtarësime në partinë e re.

Ndërkohë po ashtu, gjatë fjalës së tij Kurti tha se Abazi është një aktivit i pathyeshëm. Ai u shpreh se edhe Shqipëria ka nevojë për ndryshime.

“Boikeni është një aktivist i pakthyeshëm, qytetar i pakorruptuar dhe një njeri i pakorruptueshëm. E njoh mirë, e njoh shumë mirë, e njoh edhe më mirë se familja e tij. Sfidat që kam kaluar me Boikenin nëpër Kosovë, situata të vështira dhe të rënda e kanë kalitur që ta përfaqësojë qytetarin këtu në Kuvendin e Republikës si pakkush më parë në Shqipërinë që ende nuk po e përmbyll tranzicionin. Ajo që kemi nevojë në Shqipëri dhe Kosovë është gjithëpërfshirja sociale dhe pjesëmarrje qytetare. Mirëqenia duhet të jetë për të gjithë. Ndryshimet në Kosovë janë bërë, edhe Shqipëria ka nevojë ndryshime sepse shqiptarëve u takon më shumë dhe shqiptarët meritojnë më mirë”, tha Kurti. /tvklan.al