Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përgëzuar kryeministrin Edi Rama për fitoren në zgjedhjet e 25 Prillit. Kreu i qeverisë së Kosovës thotë se “Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën” prandaj uron që si shqiptarë të shtohet bashkëveprimi në të gjithë sektorët.

“Sipas rezultateve paraprake të shpallura nga KQZ në Republikën e Shqipërisë, Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama ka fituar zgjedhjet parlamentare. Kosova nuk mundet pa Shqipërinë e Shqipëria nuk mundet pa Kosovën, prandaj e përgëzoj kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për rezultatet, dhe uroj që së bashku, si shqiptarë, të shtojmë bashkëveprimin mes nesh në të gjithë sektorët, si dhe t’i afrojmë standardet evropiane sa i përket demokracisë, zhvillimit ekonomik, drejtësisë e mirëqenies”, shkruan Kurti në Facebook.

Kryeministri i Kosovës bën thirrje që institucionet përkatëse të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket demokracia e votës.

“Njëkohësisht uroj që institucionet në Shqipëri të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me procesin zgjedhor që askujt të mos i preket e drejta e votës, mbi të cilën themelohet demokracia përfaqësuese. Këto janë pritshmëritë e shqiptarëve, andaj, të punojmë së bashku”, shkruan Kurti.

Albin Kurti votoi të dielën e 25 Prillit në Shqipëri. Ai më herët ka shprehur mbështetjen për 3 kandidatët e pavarur të Lëvizjes Vetëvendosje me qendër në Shqipëri që kandiduan në zgjedhje. Mes tyre ishte edhe drejtuesi i LVV-së në Shqipëri, Boiken Abazi i cili kandidoi në Tiranë.

Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç ishin dy liderët e rajonit që nuk e kishin uruar Ramën për fitoren në zgjedhje. E ndërsa nga kryeministri i Kosovës reagimi erdhi mbrëmjen e sotme, nga Presidenti i Serbisë nuk ka ende asnjë urim./tvklan.al