Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar këtë të enjte në emisionin “Opinion”. Kurti i dha përgjigje pyetjes së gazetarit Blendi Fevziu se nga e ka marrë vesh për një marrëveshje sekrete mes Thaçit dhe Vuçiçit, akuza që lideri i LVV-së i ka lëshuar më herët.

Kurti u shpreh se është vënë në dijeni për këtë marrëveshje nga një bashkëpunëtor i Presidentit Thaçi. Ky person, identitetin e të cilit Kurti nuk e bën të ditur, ka biseduar me një nga njerëzit më të besuar të Kryeministrit në detyrë.

Sipas tij, marrëveshja konsiston në shkëmbimin e disa territoreve në veri për Serbinë dhe marrjen e disa fshatrave për Kosovën. Megjithatë, Kurti tha se nuk ka fakte zyrtare për marrëveshjen sekrete.

Blendi Fevziu: Çfarë dini ju për këto bisedime sekrete dhe përmbajtja. Çfarë është sipas jush?

Albin Kurti: Ambasadori Grenell ka më të rëndësishme kohën e marrëveshjes se sa përmbajtjen e saj. Kjo qasje e shtyn që të bëjë më shumë trysni në palën më të dobët. Në këtë rast Kosova është më e dobët se Serbia.

Blendi Fevziu: Çfarë marrëveshje ka mes Thaçit dhe Vuçiçit?

Albin Kurti: Është një marrëveshje sipas së cilës Kosova do duhej të hiqte dorë nga komunat në veri të lumit Ibër. Serbia do të fitonte ndonjë komunë shtesë në veri të lumit Ibër. Për kompensim, Kosova do të merrte ca fshatra në Luginën e Preshevës, por kurrsesi Bujanovcin dhe Medvegjën, në rastin më të mirë, qytezën e Preshevës.

Blendi Fevziu: Ku është kjo marrëveshje? Ekziston?

Albin Kurti: Ata kanë bërë marrëveshje sekrete. Nuk e kam. Po ta kisha do ua kisha dhënë edhe ju.

Blendi Fevziu: Edhe Enver Hoxha bëri marrëveshje sekrete me Serbinë etj., por rezultoi që të gjitha ishin paranoja. Deri tani ka një marrëveshje sekrete? Ka një dëshmitar për këtë marrëveshje? A i referoheni një fakti konkret?

Albin Kurti: Nuk mendoj që kufiri i imagjinatës suaj duhet të jetë Enver Hoxha. Ka marrëveshje sekrete. Janë bërë marrëveshje.

Blendi Fevziu: A keni një fakt konkret?

Albin Kurti: Një bashkëpunëtor i Presidentit të Kosovës ka biseduar me njërin prej njerëzve më të afërt të mi dhe pak a shumë këtë që e thashë unë ia ka paraqitur si një gjë shumë të favorshme për Kosovën, e cila jo vetëm që duhet të pranohet, por duhet të kalonte në referendum nëse duhej të organizohej një i tillë.

Blendi Fevziu: Si quhej ky këshilltar i Presidentit?

Albin Kurti: As për këtë bashkëpunëtorin tim dhe as të Presidentit nuk kam pse ua them emrat. Këtë e kam shpjeguar edhe në Kuvendin e Kosovës. Nuk kam dilema nëse ka ndonjë marrëveshje mes tyre./tvklan.al