AlbInvest, agjencia e cila rezultoi e suksesshme gjatë viteve të fundit në tërheqjen e investimeve të huaja që prej 1 Tetorit të këtij viti do të quhet agjencia shqiptare e investimit ose AIDA e një strukturë të re duke u kthyer në One stop shop për investitorët e huaj.
Sipas Zëvendës Ministrit të Ekonomisë Eno Bozdo, kjo agjenci nuk do të ketë më varësi nga Ministria e Ekonomisë por do të drejtohet nga një bord ku do të jenë pjesë edhe 4 ministra të linjës nën kryesimin e kryeministrit.
Eno Bozdo:“AIDA do trashëgojë të gjitha le të themi rrjedhë të punës së AlbInvest-it, pra investimet e huaja direkte dhe kujdesi për investitorët veçanërisht ata të huaj. Koncepti i AIDËS, AlbInvestit të transformuar është që kjo agjenci të kthehet në një farë One stop shopi për investitorët.”
Gjithashtu sipas Bozdos investitorët e huaj do të gjejnë në këtë agjenci një orientim që do ti duhet për të investuar kapitalin e tyre në Shqipëri.
Eno Bozdo: “Një investitor i cili ka vendosur të investojë një shumë të caktuar parash në Shqipëri në një sektor të caktuar , troket në derën e AlbInvestit dhe AlbInvest ndjek pastaj të gjitha procedurat që ky investim të bëhet në një kohë sa më të shkurtër me kosto sa më të vogël dhe me eliminimin rrënjësor të burokracisë e cila ekziston në të gjitha rastet. Pra tani ne po japim produkt me anë të AIDËS ne po ofrojmë një produkt specifik për investitorët .”
Agjencia AlbInvest ka luajtur një rol të rëndësishëm në tërheqjen e investimeve të huaja duke ofruar atyre të gjithë asistencën e nevojshme për të investuar në vendin tonë./tvklan.al
Gazetar: Edjol Halilaj