#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.
Nënvariantet e Omicron-it në qarkullim, mjeku Alimehmeti: Ndiqni këshillat e zakonshme për virozat
Valët e forta të Covid-it ia kanë lënë vendin nënvarianteve që shfaqen me problematika më të zakonshme: rrufë, kollë apo dhimbje fyti. Mjeku Ilir Alimehmeti thotë në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se rritja e këtyre virozave është pasojë e nënvarianteve të reja të Omicron-it.
Alimehmeti sqaron se nuk bëhet fjalë për grip pasi sëmundja e ka të pamundur të zhvillohet në temperatura kaq të larta, por s’ka vend për panik. Megjithatë, si me çdo virozë, protokolli shëndetësor nuk ndryshon. Për shenjat lehtësisht të menaxhueshme duhen ndjekur këshillat për hidratimin, përdorimin e paracetamolit në rast nevoje dhe shmangien e kontaktit me njerëzit.
Ilir Alimehmeti: Kemi disa variante të reja që po shkaktojnë këtë lloj rritjeje nga njëri krah.
Aldo: Variante të reja Covid-i po thua?
Ilir Alimehmeti: Po, që janë nënvariante të Omicron-it sepse ky Omicron mbetet, u bënë vite që është shumë ‘fit’ për njerëzit.
Aldo: Pra po bashkëjetojmë.
Ilir Alimehmeti: Po bashkëjetojmë patjetër, por nuk i lë hapësirë një varianti tjetër sepse duhet, ky është mbrojtja e parë që ne kemi, lufta brenda llojit të viruseve.
Aldo: Qenka variant egoist.
Ilir Alimehmeti: Të gjithë viruset egoiste janë dhe e tillë është jeta, por ky nuk po na shkakton diçka të re. Mbetemi tek e njëjta logjikë që nuk është se kemi shumë raste të rënda.
Aldo: Me çfarë mund të ngatërrohet ky?
Ilir Alimehmeti: Me gjithçka, me çdo lloj viroze respiratore, një kollë, një dhimbje gryke etj, janë simptoma shumë të përgjithshme.
Aldo: Kur i kanë njerëzit këto tani në kulmin e vapës që dhjetëfishohen, çfarë të bëjmë ne?
Ilir Alimehmeti: Virozë është. Si çdo virozë do të thotë mbështetje, kujdes mos ftohesh më shumë, kujdes kondicionerin se i rrimë përballë nga vapa e madhe, do të shkaktojë rënien e imunitetit se ajo ftohja nuk është fiziologjike për trupin, ftohja aq e madhe, e menjëhershme, lëngje patjetër sepse në mesin e vapës duhen gjithsesi se kemi shumë dehidrim, paracetamol dhe si gjithmonë, kujdes të tjerët. Parimi që je i sëmurë, ki kujdes të tjerët që mos të shkojmë t’i puthim e t’i përqafojmë.
“I fala djalit shtëpinë 150 milionë lekë e s’më flet me gojë!”, babai i palëkundur: Po s’kërkoi falje…
Tema e ditës së programit “Aldo Morning Show” në Tv Klan ‘ngacmoi’ Xhimin, një baba që telefonoi për të thënë se pasuria nuk duhet caktuar përpara se të vijë momenti. Ai thotë se e ka pësuar prej kësaj pasi i ka dhënë djalit një shtëpi me vlerë 150 milionë lekë, por sot nuk flasin mes tyre.
Babë e bir jetojnë në kryeqytet, por s’komunikojnëfare me njëri-tjetrin pas një debati. Për këtë të fundit Xhimi thotë se ka qenë kalimtar, por ai s’pranon të flasë me të birin nëse ai s’i kërkon falje.
Xhimi: Pasuria lihet në fund fare se e lashë për veten time dhe djali s’më merr të më flasë me gojë.
Aldo: Po ku është djali?
Xhimi: Djali këtu është, në Tiranë.
Aldo: Po pse s’flisni ju, ka ndonjë problem?
Xhimi: Pse s’flet, se ashtu i teket atij tani, e mori atë që donte. Tani nuk flet me gojë.
Aldo: Keni pasur ndonjë gjë apo s’keni pasur?
Xhimi: S’merr njëherë në telefon, u operova, të thoshte “o baba, si je?” Kaq.
Aldo: Ti flet me të?
Xhimi: Ore e marr në telefon, s’më hap telefonin.
Aldo: Mos keni pasur ndonjë problem?
Xhimi: Po ç’problem o Aldo, më qafsh, problem! Po është turp, babait i falet, jo t’i falësh shtëpi 150 milionë lekë e mos të flisni me gojë?
Aldo: Një sekondë, ju nuk flisni bashkë se keni pasur ndonjë sherr, ndonjë gjë?
Xhimi: Sherr kishim, sherr kot, llafe, muhabete. Kapriçot e tij arrijmë deri këtu! Babait t’ia bësh ashtu?
Aldo: Jeni ulur ndonjë ditë, keni folur?
Xhimi: As vete t’i ulem, as vete t’i them! Po s’më kërkoi falje ai mua, unë nuk ia shikoj më fytyrën.
Aldo: Po për çfarë të kërkojë falje?
Xhimi: Të kërkojë për atë që s’më flet me gojë, turp!
Aldo: Pse?
Xhimi: Tani pse, e di ai!/tvklan.al