Aldo Morning Show – Emisioni 20 Nëntor 2023
#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.
“Më iku topi për shalësh”, ish-portieri kujton momentin: Më vinte zor nga pjesa tjetër e sportistëve
Ish-portieri, Perlat Musta ka rrëfyer një histori, që për të është shumë e turpshme.
I ftuar në studion lëvizëse në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, Musta ka treguar një moment ku gjatë një ndeshjeje, topi iu fut prej shalësh dhe përfundoi në portë.
Ai shprehet se për një javë, nuk shkoi në mensë për të ngrënë dhe sesa herë mbaronte stërvitjet, ikte direkt te dhoma e tij pasi i vinte zor nga pjesa tjetër e sportistëve.
“Kanë ndryshuar kohët sepse ne… Po tregoj një rast timin. Domethënë që është i vërtetë. Në një ndeshje, ishte viti i dytë që kisha filluar me Partizanin, kisha mbaruar një kampionat. Shkova dhe me ekipin kombëtar Shpresa domethënë, në moshë 18 vjeçe. Luanim me Shkodrën këtu. Vllaznia e asaj kohe, me lojtarë të mëdhenj. Më gjuan Ferid Rragami nga 45 metra, një top në port, diagonal domethënë edhe topi mezi po vinte. Në moment që ishte fundi i lojës, ishim 0-0, vjen topi tek 5 metërshi. Unë isha tek 5 metërshi edhe penalltisë. Ngre kokën, topi kështu domethënë, me zor. Mund të merrte 5 sekonda me ardhur që atje. Edhe për të parë një lojtarë, që ishte në krahë të djathtë bosh. Dhe në moment vendos duart poshtë dhe kokën sipër, më ikën topi për shalësh. Dhe po të them, sinqerisht, një javë nuk jam futur një mensë të haja bukë, më vinte turp. Vetëm ulja kokën, dilja në stërvitje dhe ngjitesha sipër e ma sillte bukën shoku i dhomës, aq zor më vinte nga pjesa tjetër e sportistëve. Jo nga pjesa pastaj, që kur humbnim ndonjë ndeshje, nuk dilnim në Tiranë.” – shprehet Perlat Musta.
Ju kishte marrë malli për ta? Alban Kondi ka një lajm të mirë për fansat e “Produkt 28”: Do rikthehemi!
Kemi një lajm shumë të mirë për fansat e “Produkt 28”!
I ftuar në studion lëvizëse në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, Alban Kondi ka konfirmuar se grupi do të rikthehet, por ende janë duke menduar mënyrën si.
Artisti u shpreh se ata kanë filluar bisedimet për një projekt që në Nëntor të vitit të kaluar.
Aldo: Kjo do të thotë që “Produkt 28” do zgjohet? Do zgjohet në një moment “Produkt 28”?
Alban Kondi: Shpresoj shumë shpejt.
Aldo: Opa! Lajmi i parë.
Alban Kondi: Ne në fakt kemi filluar që vitin e kaluar, që të kemi një projekt.
Aldo: Si “Produkt 28”?
Alban Kondi: Si “Produkt 28”.
Aldo: Kryevepër, një super lajm. Një super lajm.
Alban Kondi: Ne kemi filluar që vjet, fiks në Nëntor të vitit të kaluar. Jemi ulur për të…
Aldo: Ne s’dimë gjë ndërkohë?
Alban Kondi: Jo jo. Po e merr vesh tani, lajmi i mëngjesit.
Aldo: Pra rikthehet grupi “Produkt 28”, mund ta shkruajmë kështu?
Alban Kondi: Jo jo, nuk është vendosur që do rikthehemi. Ne po mendojmë se si mund të rikthehemi. Ka një formë që mund të rikthehemi.
Aldo: Po mirë, atëherë ta shkruajmë: “E kanë ndarë mendjen, do rikthehen”.
Alban Kondi: Do rikthehen, po.
Aldo: Ky është titulli, ky është titulli.
Në fund të intervistës Kondi u shpreh:
“E kemi shumë qejf. Kemi filluar që në Nëntor të vitit të kaluar, një tentativë për të gjetur një formë… Ideja është që nëse vijmë, ne do të vijmë në një formë që të jemi të 3 të kënaqur. Nuk ka asnjë lloj hezitimi. Thjesht ne duam që të vijë momenti. Nuk është se kemi ndonjë… Të shfrytëzojmë këtë kohë, apo të nxjerrim një këngë për të qenë lajm i ditës“./tvklan.al