#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

Sot në Aldo Morning Show…
E marta me informacionet e 24-orëve. Temperaturat për ditën e sotme dhe neser.
Fituesi i Quiz-it.
Në temen e dites së sotme u bënë pjesë telefonuesit në “Video Call”, të cilët ndanë opinionin e tyre nëse mund të pranojnë që fëmija e tyre të martohet me një njeri me ngjyrë.
Në pjesen e trete të programit e ftuar ishte këngëtarja, Era Rusi.

#AldoMorningShow

#Aldolipe

#Albanacaushaj

#megilatifi

#EraRusi

Mot me diell, por i freskët, gazetarja: Nuk di si të vishesh

Reshjet e shiut mbeten ende larg Shtatorit. Edhe në këtë javë, sipas parashikimit të motit në  “Aldo Morning Show” në Tv Klan, temperaturat nuk do të kenë luhatje. Herë pas here do të vërehen vranësira, por moti do të mbetet i thatë.

Megi Latifi: Ndërkohë temperaturat për sot parashikohet që të kemi një ditë shumë të qëndrueshme. E rëndësishme është që nuk kemi shi. Pak a shumë, me një vështrim që po i hedh të gjithë temperaturave, temperatura maksimale më e lartë do të jetë në Elbasan dhe në Berat me 32 gradë dhe në të gjitha vendet e tjera një mesatare 23 gradë për të gjitha qytetet, temperatura maksimale sot. Nuk do të ketë shi, do të ketë vetëm vranësira të herëpashershme. Nga dita e mërkurë deri në ditën e premte moti parashikohet të jetë i qëndrueshëm në të gjithë territorin.

Aldo: U sa mirë! Rrofsh, rrofsh! Ne preferonim të kishte shi për dritat.

Albana Çaushaj: Problemi i motit është që në mëngjes e darkë është shumë freskët dhe dreka shumë vapë, domethënë nga këto ditët që nuk di si të vishesh.

“Djali u martua me koreane dhe u divorcua”, Leda: Ishte xheloze, donte diamante

Martesat mes etnive, racave apo kulturave të ndryshme janë tema e ditës së diskutimit në “Aldo Morning Show” në Tv Klan. Një telefonuese nga Vlora, Leda, rrëfen rastin e djalit të saj 29-vjeçar. Djali, i cili jeton në Kanada, u dashurua dhe martua me një koreane. Martesa nuk funksionoi dhe sipas Ledës, arsyeja kryesore është mospërputhja në mentalitet.

Leda: Djali im u dashurua në Kanada me një koreane.

Aldo: Familje e mirë besoj?

Leda: Të them të drejtën nuk e njoha kurrë sepse zakonet e tyre, mënyra e tyre e të menduarit, e të gjykuarit është kaq ndryshe nga e jona.

Aldo: Po mirë pse u dashurua çuni?

Leda: Çuni nuk  e mora vesh pse u dashurua se ashtu si u dashurua, ashtu u ç’dashurua ai.

Aldo: Jo.

Leda: Po. Të them të drejtën, më quani raciste, më thoni çfarë të doni, unë nuk e kisha me shumë qejf por as nuk ndërhyra.

Aldo: E qartë, ke varur buzët ti e di unë.

Leda: I vara shumë që thua ti se neve mamave na duket sikur djemtë janë më të bukurit, më të mirët.

Aldo: Një djalë nga Vlora është më i bukuri në botë, dihet ajo.

Leda: Po lëre tani, nuk ka më të bukur.

Aldo: Të lutem, më trego pak, momentin e parë kur pe nusen.

Leda: U shtrembërova shumë o Aldo, të gënjej kot tani? 

Aldo: Po djali ç’tha, i ra të fikët besoj?

Leda: Me djalin nuk e dhashë veten, bëra sikur isha shumë e lumtur, por në fakt nuk isha. Ata u martuan brenda një kohe shumë të shkurtër, por dhe ashtu janë ndarë brenda një kohe shumë të shkurtër.

Aldo: Po për çfarë u ndanë?

Leda: Nuk përputhej mënyra e të menduarit. Ajo ishte xheloze në kulm.

Aldo: Koreania xheloze mi? U i marrtë të keqen djalit!

Leda: Femrat në Kanada kanë prioritet shumë të madh nga ligji që duhet patjetër të mbisundojnë mbi mashkullin, por nuk e di, nuk përputheshin nga mënyra e të menduarit.

Aldo: Edhe ku? Me mashkull nga Vlora do dilte ajo!

Leda: Do dilte koreania tani!

Aldo: E mira e saj ka qenë ndoshta nuk harxhonte shumë se me dy hardhuca hante drekën ajo, mbaronte punë, apo jo?

Leda: Harxhonte ore harxhonte. Donte diamante dhe shtëpinë e donte të arreduar.

Mbesa e fejuar me një paraguaian, telefonuesja: I zi, simpatik, kur flet të kënaq

Sofie, një tjetër telefonuese në “Aldo Morning Show” në Tv Klan rrëfen se në familjen e saj martesat me njerëz me ngjyrë nuk janë aspak problem. Mbesa e Sofies është e fejuar me një djalë nga një shtet i largët, Paraguai. Sipas telefonueses, në familjen e tyre djali është mirëpritur dhe është shumë i  pëlqyer pasi ngjyra nuk i pengon aspak.

Sofie: Unë kam një rast konkret që mbesa  ime është e dashuruar dhe e fejuar me një nga Paraguai.

Aldo: Të trashëgohet! Po nga e gjeti?

Sofie: Ka qenë me shoqatën në Kore, atje është njohur.

Aldo: E ke parë dhëndrin mi?

Sofie: Po, po, marshallah. Ai kur flet, unë nuk e shikoj çfarë ngjyre ka, por shikoj çfarë shpirti të mirë që ka.

Aldo: Po ma përshkruaj pak dhëndrin, si është?

Sofie: Është i gjatë, gati dy metra, është shumë ezmer. Punon në Gjermani dhe do shkojë edhe mbesa, punon në një kompani me këto ekspeditat që fluturon për kohën.

Aldo: Më përshkruaj pak dhëndrin, ça tipi është, ça hobi ka, ku i punojnë prindërit?

Sofie: Djali është i bukur, veç se është i zi, është simpatik. Kur flet të kënaq, na përkthen mbesa. Është shumë i mirë.

“Do dilnin fëmijët lara-lara”, telefonuesi: Pse të martohem me dikë të ngjyrës tjetër?

Ndonëse është prej vitesh mik me anëtarë të komunitetit rom, Jorgji, një telefonues në “Aldo Morning Show” në Tv Klan shprehet kundra martesës mes racave të ndryshme. ai thotë se nuk do i pëlqente që fëmijët e tij të krijonin familje pasi fëmijët do dilnin “lara-lara”.

Jorgji: Lidhur me temën, babai im qëkur kam qenë unë i vogël ka pasur një mik rom. Vinte në shtëpi, bënte meremetime dhe vetë ne kemi pasur e kemi miq të kësaj kategorie, kemi shkuar në shtëpi, mirëpo realisht nëse një nga fëmijët e mi do të dëshironte të martohej me një të kësaj ngjyre, ne nuk do ta dëshironim.

Aldo: Po pse?

Jorgji: Tjetër gjë nëse ngulte këmbë fëmija, ne nuk do ta dëshironim.

Aldo: Për çfarë arsyeje?

Jorgji: Arsyeja, qoftë mentaliteti, qoftë ana estetike e personit, e njeriut, e natyrës njerëzore.

Aldo: Estetike?

Jorgji: Po. Ngjyra, ngjyra. Do dilnin fëmijët lara-lara.

Aldo: Lara-lara? Po ti s’do martoheshe me zebër. Me njeri do martohesh.

Jorgji: Po kur ka njeri të bardhë, të ngjyrës time, pse të marr njeri të ngjyrës tjetër?

Era Rusi: Këngëtari i ‘live’ paguhet më pak se ai i ‘playback’

E ftuara speciale sot në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ishte artistja Era Rusi. Në një diskutim me Aldon Lipe për klimën e muzikës në këtë periudhë pas një pandemie dy-vjeçare, Era rrëfen sfidat, por edhe ndryshimet që këngëtarët kanë hasur pas rikthimit. Fluksi i madh, sidomos i dasmave që janë edhe burimi kryesor i të ardhurave për shumë artistë ‘live’ ka qenë një rimëkëmbje për ta,  por vazhdojnë të ekzistojnë diferencat mes kategorive të këngëtarëve.

Albana Çaushaj:Paguhesh më shumë në një dasmë apo në një klab nate?

Era Rusi: Ajo varet nga dasma, vendi ku është dhe klabi ku je. Por mund të të them që ajo që mv vjen më shumë keq për sa i përket klabit është se muzika ose këngëtari i ‘liv’e paguhet gjithnjë më pak se ai i ‘playback’.

Aldo: Po si ka mundësi? Për çfarë vijnë njerëzit në klab?

Era Rusi: Natyrisht njerëzit në klab vijnë për këngëtarin. Lokalin e mbush emri i këngëtarit që lokali fton. Këngëtarët, le të themi, se nuk dua t’i kategorizoj ‘playback’ ose jo, por ashtu e kanë zgjedhur…performojnë ‘playback’ në një minutash, le të themi 20 minuta, gjysmë ore. Kurse këngëtarët e ‘live’, 30 minuta nuk e kanë asgjë. Domethënë të më thuash mua “hajde këndo 20 minuta, them më mirë më lër në shtëpi, ç’më ngre kot?”

Aldo: Ke patar ndonjë mbrëmje ekstrem?

Era Rusi: Jo, sepse përgjithësisht kemi filluar të tregohemi pak më të zgjuar, t’i vendosim disa limite sepse në fund të fundit, edhe pronarët e lokalit duhet të të paguajnë për atë minutazh që ti  do performosh. Nëse duan të performosh më shumë, do të të paguajnë më shumë. Nësse duan të performosh më pak, do të të paguajnë… kurse ne jemi mësuar të të paguajnë më pak dhe të rrish të këndosh gjithë natën. Ose falas.

Aldo: Kur ti thua që duhen kaq para…

Era Rusi: “E mo, ma ul një çikë”. Ndonjëherë i them “më fal po unë jam artiste, nuk po shes domate në treg”.

Era Rusi: Ka këngëtarë me klikime që e mbushin lokalin, ka nga ata që i blejnë dhe anulojnë datat

Klikimet janë shndërruar tashmë në një lloj ‘matësi’ për suksesin e këngëtarëve, por Era Rusi nuk bën pjesë te ndjekësit e tyre. Në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, këngëtarja tha se nuk është në dijeni të numrave të saktë të klikimeve në këngët e saj, por nuk beson në shifrat e ekzagjeruara që shfaqen për një ditë.

Aldo: Rrjetet sociale, klikimet, matja reale apo jo e audiencës së këngës ka ndikuar ndopak  në menaxhimin e figurës tënde si artiste? Domethënë, je e lumtur që ke marrë kaq klikime, je e prirur për të parë sa mora te ky klip që kam hedhur?

Era Rusi: Të them të drejtën, unë tani që po flasim, nuk e di saktësisht sa klikime kanë këngët e mia.

Aldo: Klikimet konvertohen në para apo jo?

Era Rusi: Po. Të them të drejtën nuk e kam besuar asnjëherë këtë gjë. Nuk besoj se mund të ekzistojnë klikime 10 milionë, 20 milionë për 1 ditë apo ku di unë, çudira që ndodhin këtu sepse ndryshe do kishin ndodhur edhe në këngëtarë të tjerë botërorë. Nga ana tjetër, kam parë kur kam  bërë këngën me Ylli Bakën “Dasma ime” apo “Telat e Zemrës” me Remzie Osmanin, po, ka shkuar 30-35 milionë, por kanë kaluar 4 vjet.

Mes të tjerash, Era sqaron nga këndvështrimi i saj se si funksionon rezervimi i një këngëtari që shënon numra të lartë klikimesh dhe si reflektohet kjo në dy anë të ndryshme të medaljes.

Era Rusi: Po të bësh një xhiro në jetën e natës, vërtet ka shumë këngëtarë të cilët i kanë shumë klikime dhe i mbushin lokalet, por ka edhe nga ata që i blejnë klikimet, por pastaj anulojnë data.

Aldo: Ka?

Era Rusi: Po, ka.  Ka nga të gjitha.

Aldo: Ua, kush mund të jenë? Enigmë është./tvklan.al