#AldoMorningShow Emision mëngjesi nga #AldonLipe në #TvKlan.

Paguante dikë për të takuar prindërit e vajzave që lidhej, rastësia e nxjerr ‘zbuluar’

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Vlorë. Sipas raportimit të Albit për “Aldo Morning Show” në Tv Klan, një djalë ka gjetur një mënyrë tjetër për të krijuar lidhje. Ai paguan dikë që ta shoqërojë për të takuar prindërit e vajzave dhe t’u kërkojë leje për të vijuar lidhjen. Një rastësi ka bërë që situata të zbulohet nga vëllai i vajzës me të cilën është lidhur tani duke ndezur një debat.


Albi: Është një djalë dhe ka gjetur një zgjidhje siç mund të jetë për shembull që nëse e do një vajzë, shkon, krijon një lidhje, propozon por vetëm lidhje, jo gjëra të tjera. Ndërsa ky për t’i rënë më në sy atyre dhe për të pasur më besim ato, goca te djali, ka zgjedhur një mënyrë tjetër, duke shkuar, duke marrë një person X që nuk e njeh fare, normale duke e paguar dhe shkon në shtëpi duke i kërkuar dorën vajzës.

Aldo: Çfarë thua ti?

Albi: Po, duke i kërkuar dorën vajzës, aty pastaj sa të bjerë në sy të prindërve të bëhet i besueshëm, vazhdon lidhjen që mos ta takojë vajzën fshehurazi, të zgjasë sa të zgjasë lidhja pastaj, ndahen dhe kështu vazhdon situata me gocat e tjera. Nuk është e para herë, është e disata herë.

Aldo: Do vijë ndonjë ditë do e hajë sa krahu

Albi: Këtu doja të dilja që kishte bërë debate me vëllain e vajzës që kishte ndodhur tani sepse kishte ndodhur diçka e çuditshme. Në momentin që kishte shkuar për ta takuar vajzën, kishte shkuar me një zotëri që e kishte aty në lagje por pa e ditur që ky zotëria atë e kishte të bënte, kishte lidhje familjare, aty kishte qenë debati derisa ishte mbyllur me fjalë çdo gjë dhe iku, por që s’është gjë e mirë.

Historia e burrit të abuzuar seksualisht, Klodiana Lala: Familja nuk e di, do ta mësojë kur…

Këshilla e Klodiana Lalës për të rinjtë që synojnë të bëhen gazetarë, fillimisht është t’i shkojnë prapa lajmit dhe të ndjekin ngjarjen. Së dyti, të kuptojnë se nuk është një profesion që i pasuron financiarisht, por shpirtërisht.

Lala u shpreh në “Aldo Morning Show” në Tv Klan se për të arritja më e madhe profesionale është që ka arritur t’u fitojë besimin njerëzve dhe të ketë në dorë histori, shumë prej tyre ende të patreguara. Një ndër to, një rrëfim tronditës të cilin planifikon ta transmetojë së shpejti, e ndan me programin. Bëhet fjalë për një burrë të abuzuar seksualisht, një traumë që familja e tij nuk e ka mësuar kurrë.


Klodiana Lala: Para pak ditësh, do ta transmetoj besoj së shpejti, intervistova një burrë të abuzuar seksualisht. E pyeta,” i thashë kur do t’ia thuash familjes, kur do ta gjesh kurajën?”

Aldo: Domethënë ky ishte një njeri që ishte abuzuar seksualisht dhe familja nuk e dinte?

Klodiana Lala: Nuk e dinte sepse rrethanat janë të tilla.

Aldo: Kur thua familja ishte bashkëshortja me…

Klodiana Lala: Fëmijët. Për shkak të rrethanave, nuk dua të nxjerr shumë detaje…

Aldo: S’ka rëndësi, ka edhe kështu historish?

Klodiana Lala: Patjetër dhe rasti është i trishtë. Më tha “do ta gjej momentin”. “Kur?”, i thashë. Tha “në 20 sekondat e fundit të jetës”. “Përse?”, i thashë. “Sepse unë dua t’u tregoj atyre dhe t’u kërkoj falje për ato momente kur kam qenë i ashpër me ta për shkak të traumës që unë kam kaluar”. Në një moment i kapa dorën dhe kuptova që më bëri të reflektoj ndryshe dhe më bëri ta vlerësoj shumë jetën, ta vlerësoj shumë, ndieja veten realisht me fat se sa mirë gjërat më kishin shkuar mua apo shumë si puna ime ndërkohë që ai njeri për rrethana të pavarura prej tij ishte gjendur në një situatë të tillë.

“Ndonjëherë rebelohem me veten”/ Klodiana Lala në rolin e nënës: Nuk u kam bërtitur kurrë fëmijëve

Zgjimi sapo agon dita, celulari gjithnjë i hapur, rendje e palodhur pas ngjarjeve më të fundit për të përcjellë lajmin e ditës të kronikës së zezë, prania në studiot televizive për t’i trajtuar… të gjitha këto janë vetëm pak nga një ditë e Klodiana Lalës.

Përtej profesionit dhe punës, ajo është nënë dhe bashkëshorte, një ekuilibër jo gjithnjë i lehtë por që Lala ia ka dalë ta ruajë. Në bisedën me “Aldo Morning Show” në Tv Klan u shpreh se “një nënë e gjen gjithnjë kohën për fëmijët dhe familjen” ku aspektin sasior e ka ‘këmbyer’ me cilësinë.


Klodiana Lala: Ndonjëherë nuk e kam kohën e mjaftueshme me fëmijët. Përpiqem që atë kohë që ta kaloj me ta ta kaloj shumë cilësore, të jem totalisht e përkushtuar ndaj tyre, të bisedoj me ta, të kuptoj çfarë problematikash kanë patur në shkollë, përpiqem që të jem e plotë sepse ndodh ndonjëherë që një nënë të jetë 24 orë me fëmijët por nuk është aty, e ka mendjen diku tjetër. Atë kohë që unë kam në dispozicion përpiqem ta kaloj shumë fort, shumë cilësore me ta.

Aldo: Ke pengje?

Klodiana Lala: Pengje? Në çfarë aspekti?  Profesional apo…

Aldo: Për jetën personale.

Klodiana Lala: Ndonjëherë rebelohem me veten që nuk kam kaluar më shumë kohë me vajzat, por jo peng.

Më herët gjatë bisedës gazetarja u pyet për një zgjedhje mes karrierës dhe familjes, ku më shumë prevalon e dyta.

Klodiana Lala: Nuk ka gjë më të jashtëzakonshme se sa në atë mëngjesin tënd të hershëm, fëmijët të vijnë dhe që në mëngjes merren me ty, fillojnë të të përqafojnë, të bëjnë pak masazh, qeshin. Ajo e qeshura që është tamam si ai uji që gurgullon, e ke parasysh, nuk e di, në ndonjë Valbonë për shembull që gurgullon dhe ka atë zhurmën, nuk i reziston dot.

Sa i përket raportit me fëmijët, Lala thotë se nuk është treguar kurrë e ashpër ndaj tyre por u ka mësuar të jenë të rregullt dhe të disiplinuar.


Klodiana Lala: Nuk do ta besojë publiku, por unë në asnjë rast nuk jam bërë agresive me fëmijët sa ime më më tha para pak ditësh në fakt, po fliste me babin dhe tha “nuk e kam menduar që Klodiana mund të sillej në këtë mënyrë me fëmijët, duke qenë natyrë e fortë, rebele, mendoja që mund të ishte agresive”. Nuk e di…  por kur them nuk u kam bërtitur, që mos të keqkuptohemi, nuk them që unë nuk vë rregulla se patjetër që kërkoj disiplinë por nuk u kam bërtitur në mënyrë të paarsyeshme apo e ndikuar nga faktorë të jashtëm se patjetër që fëmijët duhet të kenë disiplinë, kohën për të bërë mësimet, të kenë disa rregulla që do ngrihen në mëngjes do duhet të rregullojnë krevatin e tyre, rrobat do duhet t’i vënë në vendin e tyre, pra kanë disa gjëra që ata e dinë shumë mirë që duhet t’i bëjnë dhe nuk ka asnjë diskutim, por në mënyrë të paarsyeshme e di që do më gjykojnë dhe janë nisur nga kjo, do fillojnë ja kjo do hiqet si e mirë se është në ekran se ne e dimë çfarë bëhet se çdo nënë i bie pak te koka fëmijës së vet, por më beso që nuk e kam bërë.

Si rrallëherë, Klodiana Lala flet për bashkëshortin: Jemi të dy tipa të fortë, është kritiku im më i madh

Klodiana Lalën e shohim gjithnjë duke raportuar për ngjarjet më të fundit të kronikës së zezë, në formate të ndryshme televizive për të diskutuar për to e për të sjellë detaje të reja. Duket se të gjithë vëmendjen ia ka lënë punës dhe profesionit të gazetarisë që i ka kushtuar një pjesë të mirë të jetës së saj.

Këtë herë, në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, Lala lë paksa mënjanë gazetaren dhe tregon më shumë rreth nënës e gruas që nuk shohim në daljet e saj në ekran. Ajo u shpreh gjatë bisedës që punën dhe familjen i ka bërë paralelisht duke e gjetur kohën mes ditës së saj të ngjeshur. Si rrallëherë, Lala ndan detaje për bashkëshortin e saj dhe si e kanë ndërtuar marrëdhënien e tyre në çift.


Aldo: Ke folur ndonjëherë për burrin ti?

Klodiana Lala: Rrallë sepse ai ka preferuar dhe ka zgjedhur të jetë i shkëputur totalisht sepse nuk ka aspak lidhje me median. Është njeri që kontribuon shumë për familjen, që më vlerëson për atë çfarë unë jam, beson në forcën time dhe në mënyrën se si unë i bëj gjërat. Patjetër që unë e respektoj në të gjithë dimensionin e vet dhe nuk kam dashur asnjëherë ta ndryshoj në atë çfarë ai është.

Aldo: Është natyrë e butë, natyrë e qetë, nevirk?

Klodiana Lala: Jo, jemi të dy tipa të fortë duhet thënë dhe përballemi fort, është kritiku im më i madh që nga mënyra se si unë vishem në ekran, se si e mbaj këmishën, xhaketë, që nga mënyra se si flas kur ndonjëherë bëhem agresive dhe unë e mendoj me të drejtë, ai mendon ndryshe.

Aldo: E teprove një çikë për shembull ë?

Klodiana Lala: Patjetër, ka patur shumë raste që më ka thënë “Klodiana, unë mendoj se këtu e ke tepruar” dhe unë kam filluar me këmbë e duar t’ia shpjegoj dhe thotë “e kuptoj gjithë rebelimin tënd, argumentet e tua por sërish i qëndroj mendimit që ke patur një lloj teprimi në këtë pikë”. A gaboj unë? Patjetër. Kështu që e mirëpres kritikën e tij me shumë qetësi dhe reflektoj. Unë nga natyra reflektoj./tvklan.al