Nga Sofja, në krah të homologut bullgar Boyko Borisov, Kryeministri hungarez Viktor Orban ka bërë thirrje për një aleancë globale kundër emigracionit të myslimanëve drejt kontinentit të vjetër. Këtë aleancë Orban e sheh përkrah Italisë me Berluskonin fitues më 4 Mars, me katër shtetet e Evropës Qëndrore Poloni, Sllovaki dhe Republikën Çeke si dhe me nacionalistët në rritje në Austri, Kroaci dhe në Bavari.

“Krishtërimi është shpresa e fundit e Evropës dhe politikanët në Bruksel, Berlin dhe Paris, të cilët promovojnë ardhjen e qindra mijëra myslimanëve, kanë hapur rrugën për rënien e kulturës së krishterë dhe shpërthimin e Islamit”.

Vizita e Orban dhe deklaratat e tij kundër emigrantëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika e kanë vënë në një situatë delikate presidencën bullgare të BE. Bullgaria po përpiqet të ndërtojë një konsensus mbi çështjet e BE-së deri në fund të Qershorit.

Orban tha se qeveria e tij “e pengoi botën islame që të vërshonte nga jugu” dhe se “nëse miliona të rinj do të vendosen në veri do të ushtrojnë presion dhe frikë të madhe në qytetet kryesore të Evropës duke krijuar një shumicë myslimane”. Duket se në sajë të retorikës nacionaliste, anti-emigruese dhe euroskeptike Orban do të fitojë mandatin e tretë në zgjedhjet parlamentare më 8 prill në një shtet ku media është tërësisht nën kontrollin e tij, ndërsa opozita socialiste është e fragmentuar dhe e dobët.

Hungaria ka ndërtuar murin me tela me gjemba katër metra te lartë dhe të gjatë 175 km në kufirin me Serbinë, ndërsa Bullgaria ka ndërtuar gardhin e saj kufitar me tela në kufi me Turqinë 176 km i gjatë.

Klan Plus