Ftesa jonë për unifikimin e Shqipërisë me Kosovën shkon në të njëjtën krah me integrimin dhe nuk ka të bëjë me Shqipërinë e madhe. Kështu ka deklaruar sekretari për marrëdhëniet me publikun i Partisë Aleanca Demokratike Gjergj Zefi, pas deklaratës së bërë nga kryetari ekzekutiv i partisë Arben Imami, ku hidhet idea e unifikimit paqësor me Shqipërinë dhe Kosovën.

Qëndrimi ynë tha ai nuk shkon kundër rezolutës së SHBA-së pasi kjo rezolutë nuk e ka zgjidhur çeshtjen e statusit të Kosovës. Ne, nënvizoi Zefi nuk kemi vënë kushte dhe nuk i kërkojmë Komunitetit Ndërkombëtar, por shprehemi për opsionin tonë politik dhe angazhohemi për realizimin e tij.

Sipas aleancistëve, unifikimi i Shqipërisë me Kosovën është një angazhim për 4 vitet e ardhshme dhe jo një sfidë ndaj programit të qeverisë aktuale. Për këtë arsye tha Zefi qeveria nuk ka pse të distancohet dhe as pse të bashkohet për këtë qëllim./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego