Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka kallëzuar ditën e hënë në SPAK ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca. Përfaqësuesit e Aleancën pretendojnë se Soreca në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj kanë ushtruar ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka denoncuar më herët një takim të Soreca-s me kryetaren e “Kushtetueses”, Vitore Tusha, takim që nuk është bërë publik.

“Kallëzimi i sotëm është kundër ambasadorit të BE-së, zotit Luigi Soreca, i cili në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë së Tiranës ka ushtruar ndikim të paligjshëm në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me çështjen e teatrit. Siç e kemi denoncuar më herët, më datë 16 Qershor ditën që zhvillohej seanca e teatrit Kombëtar, në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur Zoti Soreca në një takim të pa bërë publik, në një takim pa protokoll, një takim që u mbajt i fshehtë edhe pasi e denoncuam ne. Zoti Soreca është larguar nga ambientet e pasme të Gjykatës Kushtetuese. Takim që e ka konfirmuar dhe delegacioni i Be-së në Tiranë dhe Gjykata Kushtetuese”, tha përfaqësuesja jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme.

Ajo u shpreh më tej se aleanca e ka fituar gjyqin dhe se nuk kanë shpifur për takimin e Soreca-s në Gjykatën Kushtetuese.

“U ndeshëm me një sulm jo etik nga një ambasador. Nuk kemi shpifur, sepse nuk është shpifje për aq kohë sa takimi u pranua. Nuk shpifëm se takimi u bë me 16 Qershor, as se  zoti Soreca ka ndenjur në takim 1 orë me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, as se Soreca ka dalë nga dera e pasme, as se ky takim u mbajt i fshehtë”.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kanë kërkuar nga BE që të marrë masa ndaj ambasadorit. Po ashtu ata i kanë kërkuar lirimin nga detyra të ambasadorit. Metës i kanë kërkuar shpalljen “non grata” në territorin e Presidencës, ndërsa ministres së Jashtme, Olta Xhaçka shpalljen “non grata” në Shqipëri./tvklan.al