Sipas tyre ky ishte testamenti i fundit ku iu kërkon rusëve të demonstronin në rrugë duke dalë për të votuar në të njëjtën kohë

Një ndër aleatët më të ngushtë të ish-liderit të opozitës Alexei Navalny, ka njoftuar se një protestë do të mbahet në 17 Mars ditën e fundit të zgjedhjeve presidenciale të Rusisë.

Sipas Leonid Volkov ky është testament i fundit që Navalny që kishte shkruar. Në koloninë penale të Arktikut ku humbi jetën më 16 shkurt, në një postim në rrjetet sociale më 1 shkurt, ai u kishte kërkuar rusëve të zhvillonin një protestë kundër Presidentit Vladimir Putin duke dalë të gjithë për të votuar në të njëjtën kohë, në mesditë.

“Ky nuk është më vetëm një lloj aksioni politik që synon kapërcimin e vetmisë, kapërcimin e izolimit. Ky është një shërbim përkujtimor civil, ky është një veprim në kujtim të Alexei Navalny, ky është një veprim që Alexey Navalny na kërkoi të mbajmë.”

Ndërkaq një tjetër aleate e Alexei Navalny pretendon se ai u vra sepse ishte pranë lirimit në një shkëmbim të të burgosurve. Sipas tyre bisedimet për shkëmbimin e Navalny-t dhe dy shtetasve amerikanë ishin në fazat e tyre përfundimtare në kohën kur ai humbi jetën.

“Navalny duhet të kishte dalë në ditët në vijim sepse morëm një vendim për shkëmbimin e tij. Në fillim të shkurtit, Putinit iu ofrua të shkëmbente vrasësin, oficerin e FSB-së Vadim Krasikov, i cili po vuan dënimin për një vrasje në Berlin, me dy shtetas amerikanë dhe Alexei Navalny”, ka bërë të ditur aleatja e Navalny, Maria Pevchikh

Maria Pevchikh, e cila është caktuar si agjente e huaj nga Rusia, ku autoritetet e akuzojnë atë për përfshirje në një organizatë ekstremiste, ka bërë të ditur se kishte marrë konfirmimin se negociatat për shkëmbimin ishin në fazat e tyre përfundimtare në mbrëmjen e 15 shkurtit. Ajo shprehet se biznesmeni Roman Abramovich kishte qenë ai që i solli Putinit idenë për shkëmbimin e Navalny. 

Putin sinjalizoi në një intervistë me gazetarin amerikan Tucker Carlson këtë muaj se donte të merrte Krasikovin, që është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një disidenti çeçeno-gjeorgjian të mërguar në Berlin në vitin 2019.

Gjithashtu udhëheqësja e opozitës në mërgim Sviatlana Tsikhanouskaya ka paralajmëruar se vdekja e kritikut të Kremlinit Alexei Navalny në një koloni penale ruse mund t’iu shërbejë vendeve autoritare që të vrasin të burgosur të tjerë politikë.

Klan News