Aleatët e PD: Raporti i ODIHR të përdoret për zgjidhjen e krizës

Aleatët e PD: Raporti i ODIHR të përdoret për zgjidhjen e krizës

15:58 06/09/2019

“Nuk ka ende negociata, zgjidhja të vijë nga brenda”

Raporti i OSBE-ODIHR/it për aleatët e Lulzim Bashës duhet të jetë në qendër të aksionit politik të opozitës në takimet me faktorin ndërkombëtar në përpjekjet e këtij të fundit për t’i dhënë zgjidhje krizës politike në vend.

“OSBE i dha opozitës një dokument që Rama është i inkriminuar. Është e domosdoshme që në çdo negociatë me ndërkombëtarët, këto dokumente duhet t’i kemi si referenca. Opozita duhet të gjejë vetveten në raport me ndërkombëtarët”, thotë Fatmir Mediu.

Në një kohë që palët janë të distancuar edhe më tej në qëndrimet e tyre dhe pas dështimit të përpjekjeve të ndërkombëtarëve për t’i ulur në një tryezë dialogu, krerët e partive opozitare thonë se zgjidhja do të duhet të vijë nga brenda klasës politke.

“Nuk di të ketë negociata”, shprehet Mediu.

Por aleatët e Bashës, kur i referohen platformës kombëtare të propozuar nga kryedemokrati, thonë se kanë edhe propozime konkrete sa i përket reformës zgjedhore.

Fatmir Mediu: “Është e domosdoshme të ulemi dhe të analizojmë kush është ai sistem zgjedhor që garanton qytetarët që të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend”.

Nard Ndoka: “Ne t’i rikthehemi numërimeve në komisionet e votimeve, në çdo qendër votimi të numërohen vota dhe rezultati do dalë në gjithë Shqipërinë për 2 orë”.

Për opozitën, largimi i Kryeministrit Rama dhe krijimi i një qeverie tranzitore që do të mundë të organizojë zgjedhje të lira e të ndershme është një kusht i panegociueshëm.

Tv Klan

Të ngjashme