Limaj: Kosova e ka Presidentin, diskutim i turpshëm

Për takimin që do të mbahet në Uashington me palën serbe, kanë diskutuar krerët e partive të koalicionit qeverisës në Kosovë në një takim me Kryeministrin Avdullah Hoti.

I vetmi që foli para mediave pas takimit ishte kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i cili tha se pala kosovare është e interesuar që në dialog të shkojë për njohje reciproke.

“Shqetësimi ynë që mund të rrëshqasë në dialog teknik, duhet ta eliminojmë. Kushdo që shkon atje shkon për njohje, koha është për një marrëveshje gjithpërfshirëse”.

Në këtë takim, sipas Limajt, nuk është diskutuar për çështjen e Presidentit.

“Kosova e ka Presidentin dhe nuk është e temë e diskutimit. Kjo temë tash me u diskutu është e turpshme”.

Limaj ka lënë të nënkuptohet që në takim është diskutuar edhe për zgjerimin e mundshëm të koalicionit qeverisës me PDK-në.

“Ne po duam të kemi një qeverisje një frymë e cila në temat që na vijnë të kemi një konsensus sa më të gjerë. Një qeveri e cila kryen punët e domosdoshme të mbetura nga e kaluara dhe të mos lejojë që të mbesin në të ardhmen”.

Më 4 Shtator pala kosovare dhe ajo serbe do të takohen në Shtëpinë e Bardhë në Uashington me ndërmjetësimin e të dërguarit të Presidentin Trump, Richard Grenell, ndërsa ende nuk është konfirmuar nëse në këtë takim do të marrë pjesë edhe vetë Presidenti i SHBA-së Donald Trump. 

Tv Klan