Lukashenko kërcënon se do i bllokojë BE-së gazin rus

Shqipëria iu bashkua aleatëve perëndimorë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në deklaratën e përbashkët, ku dënohet qëndrimi abuziv i Bjellorusisë ndaj krizës së emigrantëve në kufirin me Poloninë.

Në deklaratën e iniciuar nga anëtarët e përhershëm të këtij Këshilli, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Franca kërkohet reagim i menjëhershëm ndërkombëtar ndaj regjimit bjellorus për të frenuar shfrytëzimin e kësaj krize për qëllime politike.

Perëndimi akuzon Bjellorusinë dhe Rusinë si aleate të saj se po përpiqet të destabilizojë Bashkimin Europian, duke nxitur valë të reja masive refugjatësh e emigrantësh.

Por presidenti bjellorus Aleksandër Lukashenko, i cili mohon akuzat se i ka ftuar vetë refugjatët dhe emigrantët nga vendet me shumicë myslimane, paralajmëroi BE-në se do të mbyllë rubinetat e gazit, nëse ndaj vendit të tij shtohen sanksionet ekonomike si faturë e përgjegjësisë për krizën.

Për këto kërcënime reagoi Moska që tha se Lukashenko nuk ishte konsultuar me Rusinë, teksa zyrtarët e këtij vendi garantojnë se vendi i tyre do të përmbushë të gjitha kontratat e furnizimit të Bashkimit Europian me gaz.

Për të frenuar shtimin e emigrantëve në kufirin Poloni – Bjellorusi, Turqia njoftoi se nuk do të shesë bileta për shtetasit nga vendet problematike të origjinës, si Afganistani e Iraku. Ndërsa qeveria e Bagdadit shprehu gatishmërinë për riatdhesuar shtetasit e këtij vendi që ndodhen në kufi.

Tv Klan