Aleksandër Luca vijon të përsërisë thirrjen se është i pafajshëm. Nga qelia në burgun e Grevenas ku ai ndodhet, 20-vjeçari shqiptar ka folur për televizionin grek “Skai”. Në deklaratat e tij është i rezervuar, por pretendon se nuk ka gisht në krimin e rëndë.

“Nuk dua të them asgjë tjetër për momentin. Jam i pafajshëm, kjo është ajo që dua të them tani”

. Kështu është shprehur ai në një lidhje telefonike.

20-vjeçari shqiptar ndodhet në të njëjtën qeli me bashkëpunëtorin e tij të dyshuar, grekun Manolis Koukouras 21 vjeç. Dy të rinjtë, shokë me njëri-tjetrin, akuzohen se kanë dhunuar për vdekje dhe më pas hodhën trupin në det të studentes 21-vjeçare Eleni Topaloudi. Ngjarja e rëndë ka ndodhur para rreth 1 muaji në ishullin Rodos të Greqisë.

Aleksandër Luca dhe Manolis Koukouras pranojnë të dy përfshirjen në krim, por akuzojnë njëri-tjetrin si personin që qëlloi me hekur në kokë studenten dhe që më pas mori vendimin për të hedhur trupin në det. Një javë më parë, 20-vjeçari shqiptar u dhunua në qeli nga të burgosurit e tjerë. Për këtë arsye, ai u zhvendos në burgun e Grevenas ku ndodhej bashkëpunëtori i tij. Madje, autoritetet i kanë vendosur në të njëjtën qeli, dhe kjo shihet si një lëvizje taktike e hetuesve. Shtypi grek thotë se ata refuzojnë që të kenë kontakte me njëri-tjetrin, ndërsa bisedojnë me avokatët dhe prindërit e tyre.

Ndërkohë, autoritetet do të analizojnë edhe celularët e dy të rinjve për të parë thirrjet e tyre telefonike dhe bisedat mes tyre apo me persona të tjerë. /

tvklan.al