Aleksandër Luca është marrë në pyetje për ngjarjen e dytë ku dyshohet se është i përfshirë. 20-vjeçari, që është një nga dy të akuzuarit për vrasjen e studentes Eleni Topaloudi, sot është transferuar nga burgu i Grevenas për në ishullin e Rodos, pasi dyshohet i përfshirë në një rast të dytë përdhunimi.

Hetuesit grekë e kanë pyetur për abuzimin e një 19-vjeçareje me aftësi të kufizuara, ngjarje për të cilën është arrestuar një 23-vjeçar rom si bashkëpunëtor. Sipas mediave greke, Aleksandër Luca ka mohuar përfshirjen në këtë ngjarje. Ai thotë se përmendja e emrit të tij është sajesë e 23-vjeçarit rom, që po përpiqet të fajësojë atë.

Mohimi i tij për akuzat bie ndesh me dëshminë e 23-vjeçarit, por edhe të vajzës së abuzuar. Kjo e fundit ka thënë se i njeh që të dy personat, por nuk kishte shoqëri me ta. Avokatja e 19-vjeçares ka thënë më herët se vajza ishte abuzuar seksualisht dy herë. Ajo ishte kërcënuar pikërisht nga shqiptari që të mos fliste për atë që kishte ndodhur. Kjo ngjarje daton më 1 Dhjetor 2018 në Rodos, pak orë pas ngjarjes së rëndë në këtë ishull, kur studentja 21-vjeçare Eleni Topaloudi u përdhunua, dhunua dhe më pas u vra. Aleksandër Luca është i arrestuar për këtë krim, së bashku me shokun e tij grek, 21-vjeçarin Manolis Koukouras.

Hetuesit e kanë pyetur sot Lucën sërish edhe për vrasjen e studentes, pasi po përpiqen të lidhin dy ngjarjet së bashku. 20-vjeçari shqiptar e deklaron veten të pafajshëm edhe për këtë çështje, pavarësisht se ndaj tij janë gjetur gjurmë ADN-je që e përfshijnë në krim. Po kështu, prova janë gjetur edhe për bashkëpunëtorin e tij Manolis Koukouras. Gjatë marrjes në pyetje para një muaji, të dy pranuan se janë përfshirë në vrasjen e studentes Eleni Topaloudi. Por Aleksandër Luca tha se ai ishte vetëm i pranishëm, ndërsa akuzoi shokun e tij si personin që e dhunoi dhe më pas vendosi që trupin e studentes ta hidhnin në det. Kështu thotë edhe i dyshuari tjetër Manolis Koukouras, i cili ia ngarkon peshën e fajit shokut të tij shqiptar.

/tvklan.al