Shqiptari Aleksandër Luca pritet të rikthehet në ishullin Rodos ku do të përballet me autoritetet greke për akuzat e reja që rëndojnë mbi të. 20-vjeçari së fundmi akuzohet edhe për abuzimin me një vajzë 19-vjeçare, e cila në masën 67% është me aftësi të kufizuara. Aleksandri, së bashku me një 23-vjeçar rom, janë akuzuar nga vajza në fjalë se ata kanë abuzuar me të dy herë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fillim të muajit Dhjetor 2018 në këtë ishull. 23-vjeçari rom u arrestua katër ditë më parë nga policia greke, kurse Aleksandër Luca ndodhej në qeli pasi ai është një nga dy të pandehurit për përdhunimin, dhunimin dhe vrasjen e studentes 21-vjeçare Eleni Topaloudi. Kjo e fundit humbi jetën më 28 Nëntor 2018, pra vetëm pak ditë para se shqiptari Aleksandër Luca të përfshihej në ngjarjen e dytë me vajzën 19-vjeçare.

20-vjeçari shqiptar pritet që të transferohet pas disa ditësh nga burgu i Grevenas ku po qëndron dhe të merret në pyetje nga hetuesit e ishullit të Rodosit për episodin e dytë. Shtypi grek raporton se 23-vjeçari rom pritet që të merret në pyetje ditën e sotme. Për momentin ata janë të arrestuar si të dyshuar pas denoncimit të vajzës. Megjithatë, pritet ekspertiza për të konfirmuar nëse 19-vjeçarja është abuzuar seksualisht.

/tvklan.al