Ali Ahmeti : Ivanov pjesë e problemit, ja çfarë do bëjnë partitë shqiptare



Ali Ahmeti : Ivanov pjesë e problemit, ja çfarë do bëjnë partitë shqiptare

14:31 28/04/2017

Shkup- “Ngjarjet e mbrëmshme janë ngjarje që duhet gjykohen, që duhet dënuar nga çdo parti politike nga të gjithë qytetarët e RM-së, është një akt i shëmtuar. Të dhunosh përfaqësuesit e popullit, të dhunosh tempullin ku qytetarët presin që të prodhohet vlera dhe demokracia dhe të sillesh si vandal do të thotë është një akt i turpshëm i dënueshëm dhe me pasoja që rrënon imazhin e RM-së, imazhin qytetarëve të Republika e Maqedonisë dhe si një akt i tillë i shëmtuar duhet dënuar”, deklaroi kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Ahmeti apelon për gjakftohtësi dhe kërkon që problemi infra etnik të mos shndërrohet në problem ndër etnik.

“Me këtë rast apeloj tek të gjithë qytetarët në RM që të ruajnë gjakftohtësinë, urtësinë dhe në veçanti tek shqiptarët që ky problem nga intra-etnik mos të shndërrohet në problem ndër-etnik. Por siç ka filluar si problem politik, me mjete politike të zgjidhet dhe të marrë drejtimin duhur drejt konstituimit të institucioneve të shtetit”, theksoi ahmeti.

BDI-ja sipas Ahmetit nuk do të marrë pjesë në takimin e liderëve të thirrur nga Ivanov sepse sipas Ahmetit Ivanovi nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit.

“Mendojmë që Ivanovi është pjesë e problemit dhe nuk është pjesë e zgjidhjes së problemit dhe nuk mendoj që vendimi në kryesi do të jetë që ne ti përgjigjemi thirrjes së Ivanovit. Duhen përdorur mekanizma tjerë për ti ulur palët, për ti ulur gjakrat në fillim dhe tani të shihet se cilat masa duhet mare për veprimet e ardhshme”, deklaroi Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Ahmeti konfirmon se është në koordinim edhe me forcat tjera politike për të gjetur një zgjidhje të situatës.

“Jemi në koordinim edhe me forcat tjera politike, të shohim për ndërtimin e strategjisë së ardhshme dhe cilat hapa do të ndërmerren drejt vënies në veprim dhe funksion të parlamentit dhe të ushtrimit të detyrës dhe funksionit të kryetarit të sapo zgjedhur të Kuvendit të RM-së”, tha Ahmeti.

Veprimet do të vazhdojnë edhe më tutje drejt konstituimit të institucioneve.

“Mendoj se çdo deklaratë që nxit është e dëmshme në këto momente, që të gjithë duhet të apelojmë për ulje të tensioneve dhe vënie në funksion të institucioneve. Sepse në rrugë institucionale mund të kanalizohen gjërat dhe të hyjnë në binarë për zgjidhje përfundimtarë dhe me thirrje dhe apele për revanshizëm mendoj që na çon në rrugë të pakrye dhe në rrugë të rrezikshme për vetë RM-në”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti flet edhe për rolin e faktori ndërkombëtarë.

“Mendoj që zhvillimet e mbrëmshme janë një thirrje dhe një apel edhe për faktorin ndërkombëtarë që të jetë më i angazhuar sepse këto zhvillime në RM por edhe më gjerë në rajon mendojmë që dikush mbase mund të mendoj që kemi paragjykime por… këto zhvillime kanë të bëjnë me zhvillime më të sofistikume, me zhvillime rajonale kështu që duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Ahmeti.

Kreu i BDI-së flet edhe për gjendjen shëndetësore të Ziadin Selës.

“Kam kontaktuar, mbrëmë kam qenë në kontakt edhe me forcat tjera politike. Kam kontaktuar edhe me Ziadin Selen deri në shtrimin e tij në spital dhe trajtimin e tij mjekësorë. Edhe sot kam qenë në kontakt me kolegjiumin me mjekëve”, theksoi Ahmeti.

 




Të ngjashme