Gjykata Speciale në Hagë ka thirrur në cilësinë e dëshmitarit, kreun e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin. Lajmin e ka konfirmuar vetë Ahmeti në një postim në rrjete sociale.

“Të nderuar qytetarë, sundimi i ligjit dhe arritja e drejtësisë së mirëfilltë joselektive, vendore dhe ndërkombëtare, janë synim dhe detyrim i imi i përhershëm në të gjithë veprimtarinë time. Andaj, ju njoftoj që Dhomat e specializuara të Republikës së Kosovës, gjegjësisht prokuroria speciale e Kosovës, si një nga themeluesit e UÇK dhe anëtar i shtabit të përgjithshëm, më ka ftuar në cilësinë e dëshmitarit dhe pa hamendje kam pranuar ftesën si dhe kam vendosur kontakt konstruktiv dhe bashkëpunues me zyrtarët në Hagë. Gjithmonë kam qenë ithtar i drejtësisë joselektive dhe jam në dispozicion të tërësishëm të organeve të drejtësisë për ta dëshmuar çiltërsinë e luftës çlirimtare të popullit shqiptar përballë gjenocidit të regjimit serb të Millosheviçit, shkruan kreu i BDI.

Më 24 Qershor Prokuroria e Posaçme publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Më 13 Korrik, Presidenti Thaçi udhëtoi drejt Hagës, ku u intervistua për 4 ditë radhazi nga trupa e Prokurorisë Speciale.

Sipas mediave në Kosovë, nuk dihet nëse edhe ftesa e Ahmetit ka të bëj me intervistimin ose jo të Thaçit./tvklan.al