Ali Ahmeti tregon si u përfshi në politikë (Video Arkiv) – TV KLAN

Ali Ahmeti tregon si u përfshi në politikë (Video Arkiv)

Ali Ahmeti, një prej figurave politike shqiptare në Parlamentin e Maqedonisë ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu më 05 Shtator 2002. Gjatë intervistës, Ahmeti tregoi se ka nisur aktivitetin politik që në gjimnaz pasi sipas tij mësimi zhvillohej vetëm në gjuhën maqedonase ndërkohë që shqiptarët e Maqedonisë nuk dinin maqedonisht. Sipas tij, në gjimnaz ai bashkë me shokët e tij nisën reagimet e para derisa mësimi filloi të kryhej në gjuhën shqipe. Më pas ai tregon se ka marrë pjesë në disa grupe ilegale ku një ndër ta ishte Lëvizja për Republikën Socialiste Shqiptare të Jugosllavisë dhe kulminacioni ishte me shpërthimin e demonstratave në vitin 1981.

“Unë jam nga Zajazi i Kërçovës. Studimet i kam kryer në Prishtinë dhe deri në vitin 2001 kam jetuar në Zvicër për arsye se në atë kohë si të gjithë veprimtarët kam qenë i ndjekur nga pushtetmbajtësit e ish-Jugosllavisë. Aktiviteti politik ka filluar që në bankat e gjimnazit. Si djem të rinj, të cilët kaluam në gjimnaz ku mësimi zhvillohej në gjuhën maqedonase dhe ne nuk dinim maqedonisht, filluam reagimet e para. Bëmë protesta. Gradualisht, derisa përfunduam gjimnazin në gjuhë shqipe në Kërçovë.

Kam qenë i angazhuar në disa grupe ilegale, një prej tyre quhej Lëvizja për Republikën  Socialiste Shqiptare të Jugosllavisë. Shpërndanim literaturë, bënim mbledhje, organizonim grupe në sajë të programit që kishte hartuar Jusuf Gërvalla me Kadri Zekën. Arriti një masivizim i madh në atë kohë dhe kulminacioni erdhi me shpërthimin e demonstratave në vitin 1981 ku unë kam qenë i angazhuar. Që nga ajo kohë kam njohur shumë personazhe me të cilët kam bashkëpunuar. Daja im Fazlli Veliu është një nga personazhet, shoku im Musa Xhaferri është një tjetër me të cilin kam bashkëpunuar, etj. Por shumë prej atyre janë vrarë edhe në luftën e Kosovës. Me Tiranën komuniste të asaj kohe ne kemi mbajtur kontakte për orientimet që na duheshin. Komunikonim me ambasadën”, tregoi Ahmeti.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*





Emisione