PD që ka vulën me seli tjetër, shumë pranë Kryeministrisë

“Një vit pasi Lulzim Basha dha dorëheqjen dhe i la partinë, Enkelejd Alibeaj u ka dhënë fund zvarritjeve nëpër salla konferencash duke gjetur për grupimin e tij, një strehë të re”.

Teksa i duhej një godinë për regjistrimin në zgjedhje, Enkelejd Alibeaj e ka shmangur një 8 Janar të dytë, duke u zhvendosur pranë Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit.

Në zyrat e reja është vendosur logoja e Partisë Demokratike, ndërsa punimet kanë përfunduar. Ndonëse periudhë fushate, e diela është respektuar pasi askënd nuk gjen në këto ambiente, grilat janë të mbyllura, dyert po ashtu.

I vetmi që herë pas herë hap derën kryesore të godinës, është administratori.

Kryetari i komanduar ka njoftuar të gjitha institucionet publike për adresën e re, të cilën e ka dërguar dhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Angazhimin zyrtar në ambientet e reja, Alibeaj pritet ta nisë ditën e hënë duke mbledhur grupin parlamentar. Fitorja në KQZ e ngarkoi edhe me përgjegjësi pasi tashmë do t’i duhet të zgjedhë kandidatë për të gjitha bashkitë e po ashtu të organizojë strukturat.

Mbetet për t’u parë se sa zyrat e reja, do të shërbjenë për një fillim të mbarë për grupimin e Alibeajt.

Klan News