Alibeaj: Rama kur pa se këto kandidatura, pa se nuk kishte asnjë mundësi për ta kapur, për ta vjedhur dhe për ta joshur.

Enkelejd Alibeaj përmes një deklarate të dhënë nga Kryesia e Kuvendit në lidhje me procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Republikës tha se janë shkelur në mënyrë të njëanshme rregullat e procedurës.

Enkeledj Alibeaj: Ky ishte synimi që unë dhe kolegët e mi patëm, gjithçka në sy të publikut që të mos ketë lojëra dhe farsa. Fatkeqësisht, u tregua se cili është realiteti dhe qëndrimi i palës tjetër. Nëse do të filloj të mendoj arsyet është se legjitimiteti i kësaj mazhorance nuk është dhe përderisa nuk ka qenë e sinqertë në procese zgjedhore dhe në një sërë procesesh të tjera nuk kishte se si të ishte tek zgjedhja e presidentit të Republikës. Do më duhet të jem korrekt me publikun se ky dokument përveç këtyre pikave proceduriale, ka dhe pikën tjetër: Shkelja e njëanshme e rregullave të procedurës, ajo që ka ndodhur tashmë, i njoftohet zyrtarisht shumicës parlamentare dhe publikohet menjëherë.

Alibeaj tha po ashtu se kryeministri i vendit Edi Rama nuk ra dakord me kandidaturat pasi sipas Alibeajt, Rama e pa që ata emra nuk kishte mundësi që “t’i kapte apo t’i joshte”.

Enkelejd Alibeaj: E fundit, cila do të ishte shkaku besoj unë: Një nga shkaqet mund të jetë edhe cilësia e kandidatëve tanë, kandidaturat të cilat kolegët, u duk fare e qartë se nuk janë as peng dhe as të shitur. Mesa duket Rama kur pa se këto kandidatura, pa se nuk kishte asnjë mundësi për ta kapur, për ta vjedhur dhe për ta joshur, apo nuk i vinte sipas shijeve të tija. Ka bërë këtë gjë sot.

Alibeaj shtoi se ky proces është bërë me qëllim që produkti të jetë konsensual, presidenti të jetë mbi palët .

Enkelejd Alibeaj: Ky proces u bë që produkti të ishte konsensual, presidenti të jetë mbi palët, as i njërës as i tjetrës. Ndoqëm këtë rrugë për të marrë garanci që edhe procesi të jetë konsensual hap pas hapi. Ne do të identifikonim 4 kandidatura, PS do të zgjidhte 2 prej tyre. Hapin e parë e bëjmë ne, hapin e dytë e bëjnë ata dhe hapi i katërt që është më i rëndësishme kërkon nënshkrimet e përbashkëta si nevojë që presidenti të finalizohej në mënyrë konsensuale. Unë nuk kam asnjë lloj keqardhje. Ne u nisëm për të krijuar një proces i cili të mos ishte një proces hulistash dhe dhomash të errëta, por në sy të publikut. Është e qartë se ne sot kemi qëndruar parimor për të dhënë një president të të gjithëve. Dokumenti u shkel nga PS. Besoj se është e qartë për ne që ne kemi qenë seriozë, serioziteti na ka karakterizuar. Ja pse çdo gjë e bëmë në sy të publikut dhe ky dokument është një akt të cilit do t’i qëndrojmë deri në fund.

Alibeaj tha se ka folur dhe me aleatët e tjerë të grupit parlamentar të PDIU dhe Partisë Republikane.

Enkelejd Alibeaj: Kam folur me secilën nga aleatët, kam marrë dhe dakordësinë e tyre dhe ata kanë qenë dakord me këtë dokument. Iu çova dhe atyre, iu kam bërë të ditur. Kur thashë se jemi seriozë në këtë proces, ne nuk bëjmë eksperimente. Ky nuk është procesi ynë për të sfiduar njëri-tjetrin. Këtë proces ne e kemi të shqiptarëve. Emrat që dolën dje, profile të larta, të pakorruptuara. Unë besoj se këto ishin garancitë që mbartën me vete. Ja pse ndodhi, panë emrat, panë që askënd nuk mund ta peshkonin dhe për këtë arsye tërhoqën bishtin ndër shalë. Me të gjitha vështirësi ne do të merrnim pjesë, dhe doli ashtu siç e parashikuam. Testuam PS, nuk kanë ndryshuar, janë të njëjtët përfundimisht./tvklan.al