Deputeti i PS Alket Hyseni thotë se deklaratat e Presidencës për problematikën mbi Gjykatën Kushtetuese, i ngjasojnë një portali mediatik.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Hyseni është shprehur se deklaratat e Presidencës për publikimin e videove dhe “provave të tjera përvëluese” ndaj Ardian Dvoranit, janë në funksion të propagandës.

Deputeti socialist akuzon gjithashtu Presidentin se ka kryer vepër penale që nuk ka denoncuar në Prokurori këto prova nëse ekzistojnë.

“Ajo që unë ndjej keqardhje është fakti që Presidenti i vendit tim katandiset në një portal prodhimi videosh, sikurse më kujtohet që talebanët deklaronin ditë përpara që së shpejti do të dali një video e Omarit. Këtu kemi 3-4 ditë një institucion shumë të rëndësishëm të Republikës së Shqipërisë, i cili po përpiqet të indoktrinojë në opinionin publik sikur do dalin çudira. Ndërkohë që i kujtoj si jurist Presidentit të Republikës, në Kodin Penal ka një nen të posaçëm që i përcakton Presidentit dhe çdo nëpunësi të këtij shteti, që sapo të bjerë në dijeni të një vepre penale, duhet të bëjë kallëzimin penal.

Dhe Presidenti i Republikës ka 5 ditë duke konsumuar një vepër penale. Presidenti i Republikës nuk është si një nga portalet e gazetarisë, të cilët grumbullojnë prova, i nxjerrin apo nuk i nxjerrin është e drejta e tyre, i nxjerrin me shantazh duke thënë muaj të tërë që do nxjerrin prova për X zyrtar dhe ndodh që nuk kanë dalë kurrë. Presidenti i Republikës është funksionari më i rëndësishëm nga pikëpamja honorifike e këtij vendi dhe menjëherë sapo bie në dijeni të një vepre penale, shkon në institucion”, është shprehur deputeti Alket Hyseni. /tvklan.al