Mediat italiane: Ishte “Uragani i Sanremos”

Preku ëndrrën e femijërisë, pikën më të lartë të karrierës së saj, një natë në Sanremo. Prezantuesja e televizionit Klan, Alketa Vejsiu, ka prezantuar në krah të Amadeus dhe Georgina Rodrigues në natën e tretë të festivalit prestigjioz të muzikës italiane.

“Për mua kjo është endrra e një vajze të lindur dhe rritur në një vend të vogël siç është Shqipëria. Nëse ëndërron, mund t’ja dalësh”.

Nga salla e jashtëzakonshme e teatrit Ariston, Alketa foli për shqiptarët, për eksodin e vieteve ‘90, për periudhën me të errët të historisë tonë; diktaturën dhe rolin e festivalit të Sanremos si urë lidhëse mes dy popujve, në një monolog disaminutësh që ia kishin rezervuar organizatorët.

“Faleminderit Itali, që mbajte ndezur ëndrrat tona në atë epokë të errët. Sepse ju nuk na braktisët kurrë. Nuk e bëtë kur kishim nevojë, kur merrnim anijet për të kaluar kufirin, në mënyrë që të kishim, më në fund, mundësinë për të jetuar”.

Veç prezantimit, një nga momentet kulminante ishte dueti me Boby Solon, me një këngë mbi dashurinë, të cilën ajo tha se e kishte shoqëruar që në fëmijëri.

Prezantuesja shqiptare e Tv Klan tërhoqi vëmendjen me italishten e rrjedhshme dhe me shpejtësine në të folur, aq sa, as Amadeus nuk ja arriti ta imitonte e ta ndalonte.

Me performancën e saj tërhoqi jo pak vëmendjen e mediave italiane, të cilat e konsideruan një sukses prezantimin e saj dhe i vunë epitetin “Uragani i Sanremos”.

Ashtu si mesazhet e monologut apo dueti, mbi dashurinë ishte edhe përshëndetja në mbyllje të performancës, rezervuar për shqiptarët.

“I dua të gjithë shqiptarët, veçanërisht ata që jetojnë në Shqipëri”.

Tv Klan