Mbrëmjen e 6 Shkurtit, Alketa Vejsiu u ngjit në skenën e teatrit Ariston si bashkëprezantuese e Amadeos dhe Georgina Rodriguez në Sanremo, para miliona shikuesve italianë, shqiptarë dhe nga e gjithë Europa.

Me këtë, ajo realizoi një ëndërr të fëmijërisë, duke u ngjitur në skenën e festivalit më të madh të muzikës italiane, Sanremon. Alketa Vejsiu zbuloi se që vitin e kaluar i ishte aprovuar një monolog në Sanremo, por që u anulua për shkak të tematikës që kishte për emigrantët.

Blendi Fevziu: Në shtyp u tha që ju që vitin e kaluar patët një shpresë të shkonit në Sanremo?

Alketa Vejsiu: Po është e vërtetë… Unë dërgova një monolog që vitin e kaluar ku thashë a ka shanse që unë të bëj diçka në Itali sepse është një ëndërr e vjetër e fëmijërisë dhe mundet ta bëj edhe në Itali atë që bëj në Shqipëri, nëse nuk ka atëherë më mirë të mos vetlëndohem pasi jam shumë mirë në vendin tim dhe dua ta di ka apo s’ka probabilitet… Përgjigja ishte që Italia është një treg i vështirë në një moment më tha pse ti duhet të vish këtu dhe unë thashë se kam një monolog që mund ta propozoj në Sanremo meqë është një moment shumë delikat tani në Itali për mikpritjen nga emigracioni. Po mirë tha realizo një demo video dhe ma dërgo dhe unë zgjodha një monolog të regjistruar në Klan përpara fillimit të “Dance With Me” vitin e kaluar. E shohin autorët, aprovohet monologu dhe 10 ditë përpara Sanremos…

Blendi Fevziu: U aprovua për Sanremon e vitit të kaluar?

Alketa Vejsiu: Po vitin e kaluar dhe për shkak të polemikës që ndodhi për emigracionin nëse ju kujtohet u mbyt një anije nga Afrika në Itali…

Blendi Fevziu: Po, po u kthye në debat politik dhe në Sanremo u trembën nga kjo dhe…

Alketa Vejsiu: 10-15 ditë pas ditëlindjes time më thanë që ishte e pamundur të impononin një temë delikate, linte të kuptohet që kishte të bënte me eksodin e shqiptarëve kështu që më thonë që është e pamundur dhe unë përreth një muaj për të qenë njerëzore dhe e vërtetë për dy-tre orë më dilnin ca lot dhe e quajta një dështim, një humbje thashë nuk ja dola dot mblodha mendjen. Dhe më pas pasi kaloi muaji i parë thashë unë do të bëj një gjë tjetër do ta sjellë Italinë në Shqipëri duke sjellë personazhet e njohur si për t’i konfirmuar vetes që ne mund të mos shkojmë atje, por ata mund të vijnë këtu dhe jemi të barabartë pasi bota po bëhet më e madhe dhe më globale./tvklan.al