Kreu i SPAK, Altin Dumani ka bërë një raportim të punës vjetore të Prokurorisë së Posaçme. Ai ka renditur edhe disa nga problematikat me të cilat është përballur SPAK gjatë këtyre 5 viteve.

Dumani tha se një ndër problematikat kryesore mbetet çështja e ekstradimit të shqiptarëve që janë të arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe.

“Problematika e parë, presioni i jashtëm ndaj institucionit.

Mungesa e një statusi të qartë ligjore të prokurorëve të SPAK pas mbarimit të mandatit.

Numri i ulët të referimeve nga institucionet publike.

Sfidë do të mbetet për SPAK krijimi i njësisë së analizës, e cila deri tani nuk është ngritur, por punojmë edhe me ekspertët ndërkombëtarë me qëllim ngritjen e një sistemi analize sipas një modeli bashkëkohorë, i cili do të vijë në ndihmë të institucionit tonë. Shumë mirë mund të thuhet pse nuk është ngritur më parë, por është një institucion i ri dhe çdo gjë ka kohën e vet dhe vlerësojmë që tani është koha që të kemi një sistem analize dhe marr në konsideratë këtu punën e këtyre 5 viteve dhe lind nevoja për krijimin e kësaj njësie të analizës.

Viijon të mbetet problematike statusi i specialistit ndërlidhës në sektorin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe hetimet e përbashkëta, i cili trajtohet si nënpunës civili bazuar në ligjin 95 të vitit 2016.

Vijon të mbetet e paadresuar mungesa e ushtrimit të kompetencës për shqyrtimin e kërkesave të huaja lidhur me njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve penale të huaja në Shqipëri në ngarkim të shtetasve shqiptarë për veprat penale për të cilat Prokuroria e Posaçme ka kompetencë.

Mungesa e kompentecave lëndore e Gjykatave të Posaçme për shqyrtimin e kërkesave në  fazën e ekzekutimit të vendimit penal për subjektet e posaçme.

Vazhdon të mbetet problematike çështja e ekstradimit të shtetasve shqiptar të lokalizuar apo arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe”, tha Dumani.

/tvklan.al