Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimore Informale (ALUIZNI) ka kaluar në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Ky vendim është marrë ditën e sotme nga Këshilli i Ministrave.

Nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama, Qeveria vendosi që emërtimet “Ministri i Zhvillimit Urban” dhe “Ministria e Zhvillimit Urban” në dokumentet e ALUIZNI-tashmë do të zëvendësohen me “Ministri i Drejtësisë”.

Ky vendim vjen pas ristrukturimit dhe shkrirjes së Ministrisë së Zhvillimit Urban.

Vendimi i Këshillit të Ministrave:

DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.289, DATË 17.5.2006, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR ORGANIZIMIN  DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË SË LEGALIZIMIT, URBANIZIMIT DHE INTEGRIMIT TË ZONAVE/NDËRTIMEVE INFORMALE (ALUIZNI)”, TË NDRYSHUAR 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 4 e 46, të  ligjit nr.9482, datë 16.2.2006, “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

 V E N D O S I:

Në vendimin nr.289, datë 17.5.2006, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime: 

  1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale në Republikën e Shqipërisë, me poshtë e quajtur ALUIZNI, është institucion qendror, person juridik, publik, në varësi të ministrit të Drejtësisë.”.

  1. Kudo në vendim, emërtimet “Ministri i Zhvillimit Urban” dhe “Ministria e Zhvillimit Urban” zëvendësohen me “Ministri i Drejtësisë”. 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare. /

tvklan.al